MZHE dhe Stavileci përgjegjës për situatën në KUR Prishtina
Prishtinë, 8 mars - Instituti GAP, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në një reagim të përbashkët kanë thënë së Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ministri Stavileci përgjegjës të drejpërdrejtë për situatën e krijuar në KUR Prishtina
Gjendja në ndërmarrjet publike nuk është e mirë. Përveç menaxhmentit dhe bordeve, për këtë gjendje në ndërmarrje publike përgjegjësia bie edhe mbi Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
Instituti GAP, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në vazhdimësi kanë kundërshtuar emërimet e fundit në bordet e ndërmarrjeve publike. Për këtë kemi marrë mbështetje edhe nga Zyra e Komisionerit Johannes Hahn dhe Agjencia Kundër Korrupsion.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ministri Blerand Stavileci janë përgjegjës direkt për performancën në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina. Në gusht të vitit 2015, MZHE dhe minisri Stavileci, në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe parimet e qeverisjes korporative, kanë ndërhyrë në vendimin e bordit të mëhershëm të KUR Prishtina lidhur me shkarkimin e Kryeshefit Ekzekutiv Gjelosh Vataj.
Më 24 nëntor 2015, ambasada e Republikës Federale Gjermane dhe ambasada e Zvicrës në Kosovë i shkruan letër Kryeministrit të Kosovës për të shprehur zhgënjimin e tyre me bordin e ri të KUR Prishtina, të cilët që në mbledhjen e parë të tyre më 13 nëntor 2015 kishin marrë vendim për rikthim në detyre të z. Vataj si Kryeshef Ekzekutiv.
Ambasadorët, vendet e të cilave janë donatorët kryesor në KUR Prishtina, kishin shprehur dyshimin se ky vendim i bordit ishte intervenim politik dhe kërkuan shpërbërjen e bordit të ri, duke kërcënuar se në rast se nuk ndodh një gjë e tillë këto dy vende do e rikonsiderojnë financimin e tyre në sektorin e ujërave në Kosovë.
Mirëpo, bordi i ri vendimin për rikthimin e Gjelosh Vatajt si Kryehef Ekzekutiv e kishte marrë pas presioneve direkte të ministrit Blerand Stavileci dhe zyrtarëve të MZHE-së.
Më 17 gusht 2015, përbërja e kaluar e bordit të KUR Prishtina kishte marrë vendim për shkarkimin e z. Vataj nga detyra e Kryeshefit Ekzekutiv, me arsyetimin se z.Vataj nuk e kishte respektuar rregulloren e punës, kishte shkelur ligjet dhe kodin e qeverisjes korporative, kishte performancë jo të mirë financiare dhe operative, dhe për shkak të keqpërdorimeve tjera të cilat kompaninë e fusin në një krizë të likuiditetit financiar.
Në të njejtën ditë të marrjes së vendimit nga Bordi i KUR Prishtina, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në emër të ish-udhëheqësit të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP) z.Ramadan Sejdiu, i kishte dërguar letër bordit që të rikthej vendimin, pa marr parasysh arsyetimet e bordit për shkarkim. Letra e dërguar në emër të z.Sejdiu, i cili në atë kohë ndodhej në vizitë zyrtare në Japoni, ishte nënshkruar nga punonjësja e NJPMNP znj.Flutura Shala. Mirëpo, pas kontakteve që organizatat tona kanë pasur me z.Sejdiu, ai e mohon se ka autorizuar dikend të shkruajë një letër të tillë për shfuqizim të vendimit të bordit.
Një ditë më vonë, më 18 gusht 2015, letra e dytë nga MZHE i dërgohet bordit, kësaj radhe e nënshkruar në emër të ushtrueses së detyrës së NJPMNP znj.Flutura Shala, e cila kërkon edhe një herë shfuqizimin e vendimit për z.Vataj. Znj.Flutura Shala ishte nënshkruar si ushtruese detyre, përkundër asaj se më 18 gusht 2015 zyrtarisht drejtor i Njësisë ishte z.Ramadan Sejdiu.
Më 20 gusht 2015 edhe vetë ministri Blerand Stavileci i shkruan letër bordit të KUR Prishtina, të cilit i kërkon shfuqizimin e vendimit të datës 17 gusht 2015. Në letrën e tij, z.Stavileci kërcënon se në rast se bordi nuk i merr parasysh këto kërkesa, atëherë MZHE konform bazës ligjore në fuqi, është e obliguar dhe nuk do të hezitojë që të kërkojë edhe ndërmarrjen e masave për mosrespektim të vendimeve të aksionarit.
Tri letrat e dërguara nga MZHE brenda katër ditësh dhe presioni i vazhdueshëm mbi bordin e kaluar të KUR Prishtina, paraqesin ndërhyrje direkte politike në menaxhimin e kësaj ndërmarrjeje publike. Për më tepër, ndërhyrja e MZHE-së në vendimet e bordit paraqet shkelje të nenit 7.6 të Ligjit për Ndërmarrje Publike, sipas të cilit detyrimi për mbikëqyrje i themeluar me këtë nen nuk do të ushtrohet në një mënyrë që ndërhyn, ose ka për qëllim të ndërhyjë, me veprimtarinë ose pavarësinë e Bordit të Drejtorëve ose Komisionit të Auditimit të një NP; si dhe nenit 21.1 sipas të cilit zyrtarët e NP emërohen nga Bordi i Drejtorëve të NP. Zyrtarët shërbejnë për Bordin dhe Bordi mundet në çdo kohë dhe me shumicë votash ta ndërpresë kontratën e tyre me ose pa deklarimin e arsyes.
Bordi i ri i konstituuar më 6 nëntor 2015, i ardhur në detyrë pas një procesi politik dhe jo profesional, që në mbledhjen e parë të tij kishte marr vendim për shfuqizim të vendimeve të bordit të kaluar sa i përket shkarkimit të Kryeshefit Ekzekutiv.
Andaj, kërkesa e donatorëve për shkarkim të Bordit të KUR Prishtina nuk duhet të shikohet ndaras nga përgjegjësia dhe presioni që ka ushtruar MZHE dhe vetë ministrit Stavileci.
Njëkohësisht, prokuroria duhet të nis hetimet për falsifikim të shkresës në emër të ish drejtorit të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike z. Ramadan Sejdiut dhe kërcënimeve politike ndaj bordit të kaluar të KUR Prishtina, e që bien ndesh me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
Instituti GAP, INDEP dhe GLPS i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shkarkojë bordin e KUR Prishtina, të shkarkojë zyrtarët e MZHE-së të cilët kanë shkelur Ligjin për Ndërmarrjet Publike, të rikthej vendimet për emërimin e anëtarëve të bordeve, ashtu siq kemi kërkuar në shkresat tona dërguar Qeverisë, si dhe ashtu siq është konfirmuar në letrën e dërguar ngë Zyra e Komisionerit Hahn dhe nga opinioni i Agjencisë Kundër Korrupsion.