Mustafa: Zhvillimi ekonomik fokusi kryesor në vitin 2016
Prishtinë, 12 janar- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën Informuese për Zhvillimin e Sektorit Privat, të organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, ku janë diskutuar planet e Qeverisë së Republikës së Kosovës drejt zhvillimit të sektorit privat.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa e vlerësoi si të suksesshëm vitin 2015, përkundër sfidave të shumta. Kryeministri veçoi arritjen e stabilitetit makro ekonomik të vendit, trendin në rritje të GDP-së dhe mundësinë që të arrihet norma e GDP-së ndërmjet 3. 2 deri në 3.8 % duke qenë norma më e lartë në regjion, si dhe arritjen e stabilitetit të plotë buxhetor dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve buxhetore. Në mënyrë specifike vitin e kaluar kemi arritur ta nënshkruajmë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim që është e arritura jonë më e madhe edhe në pikëpamje të asaj se është marrëveshja e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, por edhe në pikëpamje të mundësisë që bizneset tona të kenë pjesëmarrje në një treg të madh të Bashkimit Evropian që ka mbi 500 milionë konsumatorë. Mendoj, se kemi arritur sukses shumë të madh sa i përket përfundimit rreth orientimeve tona lidhur me sigurimin e energjisë elektrike, si një prej resurseve themelore të zhvillimit të mëtutjeshëm. Është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, që është investimi më i madh që pas luftës është bërë në Kosovë pasi kalon 1 miliard euro. Vlerësojmë se janë plotësuar të gjitha kushtet që të filloj ndërtimi dhe të kemi potenciale të energjetikës, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa foli për përfitimet që pret Kosova nga IPA 2, në vlerë rreth 645 milionë euro deri në vitin 2020 nga të cilat do të financohet gjenerimi i zhvillimit ekonomik, por edhe mbështetja e zhvillimit ekonomik.
Me Fondin Monetar Ndërkombëtar është arritur marrëveshja e cila ka mundësuar ndryshimin e kornizës fiskale. Kosova do të përfitoj nga FMN 185 milionë euro, dhe po ashtu Kosovës i hapet mundësia që të kemi edhe burime të tjera prej rreth 400 milionë eurove nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Banka Botërore, Banka Evropiane për Investime dhe burime të tjera, të cilave ne praktikisht vetëm duhet tu gjejmë programet zhvillimore në mënyrë që të shfrytëzojmë këto mjete. Sa i përket sistemit bankar mund të vlerësoj se është shumë stabil në Kosovë, dhe se ajo që është e mirë, është se janë ulur normat e interesit, tha kryeministri Mustafa duke shtuar se këto norma të interesit kanë filluar të behën më të përballueshme për bizneset, sidomos për prodhimet.
Në fushën e bujqësisë, kryeministri Mustafa theksoi se janë akorduar rreth 43 milionë euro grante dhe subvencione, dhe përmes saj është nxitur zhvillimi i bujqësisë, nga e cila kanë përfituar rreth 38 mijë fermerë dhe janë hapur së paku 2500 vende të reja të punës në bujqësi.
Më tej, kryeministri Mustafa theksoi se bazë e rëndësishme kanë qenë reformat fiskale që janë bërë në vitin 2015 të cilat i kanë ndihmuar biznesit, por edhe kanë ndihmuar që të stabilizohen të hyrat buxhetore të cilat janë rritur për 113 milionë euro.
Kryeministri po ashtu foli për aprovimin dhe zbatimin e Ligjin për Faljen e Borxheve në shumë prej 600 milionë eurove për periudhën deri në fund të vitit 2008.
Ne kemi arritur 10 marrëveshje për bashkëpunim financiar ndërkombëtar në një vlerë prej 143 milionë eurove. Kemi arrit marrëveshje të rëndësishme me Bankën Evropian për Zhvillim dhe Ndërtim, Bankën Evropiane për Investime. Kemi siguruar 160 milionë euro për financimin e rekonstruimit të hekurudhës që e lidhin Kosovën me shtatë vende tjera dhe që mundëson uljen e kostos së transportit dhe përkrahjen e zhvillimit ekomomik, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu foli për aprovimin e Projektligjit për Investime Strategjike, përmes të cilit do të mundësohen negociata të drejtpërdrejta me investitorët e jashtëm, të cilat do të hapin mundësi zhvillimore më të mëdha.
Kemi vlerësuar po ashtu se kemi trende pozitive sa i përket investimeve të huaja direkte. Në vitin 2015 kemi arritur që investimet e huaja direkte të jenë më të mëdha edhe në pikëpamje të shumës, por edhe në pikëpamje të ndërmarrjeve të jashtme që janë themeluar në Kosovë që nga viti 2012 e këndej. Situata politike të cilën e kemi ne nuk është shumë e favorshme për tërheqje të investimeve të huaja, por duhet ti bëjmë apel edhe këtu të gjithëve që të japim një pasqyrë më të mirë, dhe të japim një siguri për investime të huaja direkte, në mënyrë që ato të vijnë, sepse nga ato investime varet edhe realizimi i objektivave tona sa i përket zvogëlimit të varfërisë, rritjes së papunësisë, dhe mirëqenies së qytetarëve, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa, më tutje shtoi se gjatë vitit 2015 janë punësuar rreth 16 mijë persona, pa përfshirë 2 mijë e 500 që janë efekte të masave që janë marrë në bujqësi. Kryeministri foli edhe për efekte e kursimeve, ku janë arritur të kursehen rreth 60 milionë euro, uljen e shpenzimeve edhe sa i përket zvogëlimit të numrit të makinave për rreth 200 sosh. Lidhur me mirëqenien sociale, kryeministri tha se gjatë vitit 2015 ka ndodhur rritja e rrogave prej 7 për qind, përmes praktikumit të rritjen prej 0.5 për qind si efekt të përvojës së punës të shërbyesve civilë, është zgjidhur problemi i pensioneve të veteranëve të luftës së UÇK-së, ku janë paguar rreth 12 mijë veteranë të luftës, është rritur asistenca sociale për 25 për qind, që kap 27 mijë familje me 135 mijë qytetarë dhe rritjen e pensioneve për kontributdhënës, baza e të cilave do të jetë 158 euro si një masë mjaft e rëndësishme sociale.
Më tej, kryeministri foli për fushën e qeverisjes koorporative duke thënë se përkundër vonesë është arritur të kompletohen të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike dhe pjesa më e madhe e bordeve të agjencioneve të pavarura.
Lidhur me korrupsionin, kryeministri Mustafa thekoi nevojën e eleminimit të percepcioneve por po ashtu theksoi se gjatë këtij viti nuk është shënuar asnjë rast korruptive në Qeveri.
Kryeministri Mustafa veçoi rëndësinë e ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Prokurim Publik, e cila paraqet një mundësi më të madhe të pjesëmarrjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në rastet e prokurimit, përmes lotove të ndryshme dhe mundësisë që të ketë më shumë pjesëmarrje.
Kemi filluar me prokurim të centralizuar ku janë futur 83 organizata buxhetore, dhe tash së fundi me pesë janar kemi lansuar edhe platformën e prokurimit elektronik, që iu mundëson qasje të drejtpërdrejt dhe transparencë të plotë në shpenzimet e parasë publike, bëri të ditur kryeministri .
Më tej, kryeministri Mustafa përmendi raportin pozitiv sa i përket kritereve për liberalizimin e vizave dhe punën që po bëhet në tetë rekomandime që nuk janë përmbushur plotësisht.
Kemi vlerësuar dje se të gjitha këto janë përmbushur, kanë mbetur vetëm edhe dy çështje teknike që duhet ti përmbushim, e para sigurimin e vendosjes së Avokatit të Popullit, dhe mbetet vendimi i Kuvendit të Kosovës lidhur me zgjedhjen e dy anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, propozimet e të cilëve janë në Kuvend, tha kryeministri.
Sa i përket viti 2016, kryeministri Isa Mustafa, tha se fokusimi i Qeverisë duhet të jetë në zhvillim ekonomik. Kemi krijuar bazën që të punojmë më lehtë dhe më mirë sepse ligjet i kemi ndryshuar. Na mbetet që në fushën e ekonomisë dhe të politikave fiskale të punojmë në zvogëlimin e evazionit fiskal, fillimin e ndërtimit të Termocentralit, të aplikojmë ligjin për investimet strategjike. Të enjten e kemi një takim për Trepçën dhe do të merremi vesh se si do të procedojmë më tutje me të, dhe do të fillojmë të zbatojmë detyrimet tona si Qeveri, si AKP, si Kuvend për Trepçën. Projekti i Brezovicës është prolonguar deri në fund të majit dhe do të bëjmë të gjitha që të tërhiqen edhe ato investime që janë në vlerë prej 400 milionë euro, tha kryeministri Mustafa.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, para të pranishmëve tha se stafi i MTI-së që nga fillimi i këtij mandati qeverisës ka qenë në dialog të vazhdueshëm me bizneset, kryesisht atyre prodhuese dhe eksportuese me qëllim të adresimit të të gjitha çështjeve dhe pengesave të tyre.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2015 përafërsisht janë mbështetur 37 mijë fermerë të Kosovës me pagesa direkte si dhe me grante investive, me një buxhet prej 43 milionë eurosh. Përveç këtyre investimeve direkte, sipas ministrit Krasniqi, janë nxitur edhe investime edhe prej 12 milionë eurove nga ana e fermerëve përfitues, tek programi i zhvillimit rural, ku grantet janë një bashkë investim mes qeverisë dhe fermerëve. Sipas ministrit Krasniqi, e gjithë kjo, ka bërë që të hapen së paku dy mijë e 500 vende të reja të punës.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka përmendur projektet e rëndësishme në fushën e energjisë, të cilat ai vlerësoi se përbëjnë mozaikun e fotografisë energjetike të vendit, e që janë parakusht kryesor për zhvillim ekonomik dhe për një zhvillim të shëndosh të sektorit privat.
Ministri Stavileci theksoi se projekti më i rëndësishëm, mbetet nënshkrimi i kontratës me kompaninë amerikane Contour Global, që është investimi më i madh privat në Kosovë, e që kap vlerën prej diku 1 miliard eurove, për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti informoi të pranishmit për hapat që ka ndërmarrë Ministria e Financave gjatë vitit të kaluar dhe ato që do të ndërmarrë gjatë këtij viti.
Ministri Hoti me këtë rast veçoi rritje e plotë të transparencës, rritjen e investimeve publike, rritjen e plotë të transparencës përmes prokurimit elektronik, krijimin e mëtejshëm të lehtësirave tatimore, zhvillimin e shërbimeve ndaj tatimpaguesve si dhe një reformë shumë të madhe që do jetë bashkimi i ATK-së dhe doganave, që do e rrisë dukshëm cilësinë e shërbimeve.