Mustafa: Zgjidhja për Trepçën në përputhje me interesat e Kosovës
Prishtinë, 15 mars- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur një konferencë për media ku ka thënë se në vazhdën e punëve për të definuar statusin final të Trepçës, sot në mbledhjen e Qeverisë është aprovuar vendimi për themelimin e Komisionit për Hartimin e Projektligjit për Trepçën, me një përbërje gjithëpërfshirëse.
Kryeministri Mustafa tha se këtij komisioni i është dhënë detyrë që në afatin optimal ti paraqes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik projektligjin, të kryhen pastaj të gjitha fazat e konsultimeve të brendshme dhe të jashtme, me të gjitha palët e interesuara për këtë ligj, dhe që ai të procedohet në Qeveri dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë pjesës së parë, përkatësisht deri në mesin e këtij viti.
Ligji do tiu nënshtrohet të gjitha procedurave të rregullta dëgjimore dhe do të aprovohet në procedurë të rregullt në Kuvend dhe në Qeveri. Ky Komision do ti raportoj Qeverisë lidhur me punën e tij dhe do të kemi bashkëpunim të ngushtë lidhur me këtë. Unë mendoj se themelimi i këtij komisioni për hartimin e projektligjit, paraqet hapin e fundit që Qeveria po e ndërmerr në realizimin e premtimeve të saj që i ka dhënë për zgjidhjen afatgjate të statusit të Trepçës, e cila kompani tani gjendet nën qeverisjen e AKP-së dhe ne do të dëshironim që gjatë këtij procesi të kemi të gjitha inputet edhe prej shoqërisë civile, qytetarëve, profesionistëve, në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen më të mirë dhe më të qëndrueshme për Trepçën, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu tha se së shpejti do të kenë informatë edhe nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit lidhur me kërkesat e kreditorëve dhe lidhur me të gjitha borxhet për të cilat pretendohet se i ka Trepça.
Jemi në koordinim me Agjencionin e Privatizimit se tani janë në përfundim termat e referencës për organizimin e punëve për Studimin e Fizibilitetit dhe të Strategjisë së Trepçës, i cili studim presim që do të përfundoj në vjeshtën e këtij viti. Ndërkaq, në bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Kosovës, po ndërmerren masa për studime të rastit (case study), për raste të caktuara të firmave të tilla në shtete të ndryshme, qoftë të atyre në tranzicion apo të vendeve të tjera, se si ato i kanë zgjidhur në mënyrën më të mirë këto raste, të cilat ne do ti marrim parasysh edhe gjatë procesit të hartimit të ligjit, por edhe në pikëpamje të organizimit dhe të funksionimit të mëtutjeshëm të kompanisë Trepça, tha kryeministri.
Duke folur për këtë proces, kryeministri tha se po bëhen përpjekje që të kyçen të gjitha palët e interesuara.
Kemi biseduar edhe me sindikatat, kemi biseduar me udhëheqjen e Trepçës, kemi biseduar me profesionistët e ndryshëm që e njohin këtë fushë, dhe besoj plotësisht që Qeveria me kohë do të përfundoj ligjin për Trepçën, se minatorët e Trepçës do të jenë të kënaqur me zgjidhjen të cilën do ta bëjmë, dhe po ashtu që zgjidhja do të jetë në interes dhe në harmoni me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe të gjithë atyre që janë të interesuar që ne ta aftësojmë, ta rigjenerojmë dhe ta revitalizojmë këtë kompani që është shumë e rëndësishme për ne, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa, në pyetjet e gazetarëve ka theksuar se Trepça assesi nuk do të shkoj në Bruksel dhe se Qeveria e Kosovës me askënd nuk do të bisedojë lidhur me pronat e Republikës së Kosovës.
Trepça është pronë e Republikës së Kosovës, e sanksionuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe po ashtu është pronë e njohur edhe me Planin e Ahtisaarit, si bazë e rregullimit kushtetues të Republikës së Kosovës, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se ka biseduar edhe me ministrat serbë të kabinetit dhe duke shprehur bindjen e plotë se Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta aprovojë ligjin i cili do të përgatitet dhe se ai do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.