Mustafa: Qeverisja e LDK-së stimulon prodhimin vendor
Prishtinë, 21 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati i saj për kryeministër të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të mërkurën se programi qeverisës i partisë që ai udhëheqë do të garantojë mbështetje për ndërmarrjet prodhuese kosovare, për të mundësuar zhvillimin e tyre, për të stimuluar prodhimin vendor dhe për të krijuar sa më shumë vende të reja pune.
Pas një vizite që i bëri Kompanisë Meridian, Mustafa u shpreh i kënaqur për standardet që aplikon kjo Kompani për prodhimet që realizon, të cilat ka thënë se janë të dallueshme brenda Kosovës, në Gjermani dhe në vende tjera të Bashkimit Evropian.
Jam i gëzuar që tregu ynë ka produkte të tilla. Ajo që do të bëjë qeveria ime është lirimi i bizneseve nga pagesa e TVSH-së, mbrojtja nga konkurenca jolojale, dhe lirimi nga pagesat në dogana, ka thënë kandidati i LDK-së për kryeministër, Isa Mustafa.
Nga Hakif Gashi, drejtor i Bordit të kësaj kompanie, kryetari Mustafa është njoftuar me afarizmin dhe problemet me të cilat ballafaqohet.