18 Nëntor 2024

Mustafa: Qeverisja e LDK-së garanton zhvillimin e të gjitha bizneseve

Prishtinë, 24 maj -Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati i saj për kryeministër të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të shtunën në Ferizaj se qeverisja e ardhshme e vendit do t’i ndërpresë praktikat e deritanishme të disfavorshme për zhvillimin e bizneseve, ndërsa nuk do të lejojë masat që po rrezikojnë të aplikohen për bllokimin e sektorit të ndërtimtarisë në disa komuna, e posaqërisht në kryeqytet.

Këto komente, Mustafa i ka bërë gjatë vizitave që ka zhvilluar në kompanitë prodhuese “Eurometal” dhe Fer Plast” në Ferizaj, të cilat ka thënë se janë shembull i suksesit të bizneseve kosovare, veprimtaria e të cilave, fatkeqësisht nuk është përkrahur, por është penguar gjatë tërë kohës nga qeverisja në largim.

“Kemi vërejtur kohëve të fundit një rënie të ndërtimeve për shkak të masave që po ndërmerren. Kjo e bllokon një pjesë të madhe të veprimtarisë prodhuese dhe shërbyese, duke përjashtuar nga procesi i punës shumë punëtorë dhe duke lënë familjet e tyre pa të ardhura”, ka thënë Mustafa, sipas të cilit, qeverisja e ardhshme e Kosovës, e cila do të drejtohet nga LDK-ja, do t’i stimulojë bizneset dhe do t’i përkrahë ato për shtimin e veprimtarisë dhe shtimin e numrit të të punësuarve.

Mustafa ka theksuar se programi qeverisës i LDK-së është program i zhvillimit ekonomik dhe i përkrahjes së bizneseve. “Përmes kësaj forme ne do të nxisim zgjerimin e veprimtarive afariste, që do të sjellë rritje të punësimit”, ka thënë Mustafa, sipas të cilit, në qeverisjen e LDK-së nuk do të ketë monopole e oligarki, siç ka tani në biznes, ku përkrahen vetëm një pjesë e bizneseve me tenderë publikë, të cilat janë të lidhura me strukurat qeveritare, ndërsa pjesa tjetër diskriminohet dhe dekurajohet tërë kohën.

“Ne do të organizojmë mirë sistemin bankar për të mundësuar normat e interesit të kredive për bizneset sipas standardeve në rajon dhe Bashkimin Evopian, kurse përparësi do t’i japim nxitjes së eksportit. Përmes masave të politikave fiskale ne do t’i mbështesim bizneset, do të sigurojmë sigurimet shoqërore për të punësuarit në sektorin privat dhe do të angazhohemi të barazojmë në numër dhe t’i trajtojmë njëjtë, sikur të punësuarit në sektorin publik edhe ata në sektorin privat”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka theksuar se qeverisja e LDK-së, do të mbështesë në mënyrë të veçantë veprimtarinë prodhuese dhe do ta ndihmojë atë për gjetjen e tregut për plasimin e prodhimeve të tyre jashtë Kosovës, për të rritur në këtë mënyrë eksportin e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ndërkaq ka theksuar se për ta realizuar edhe programin qeverisës lokal, shtysë do të jetë edhe qeverisja e LDK-së në nivel qendror.

“Komuna e Ferizajt, do të faktorizohet edhe në Republikën e Kosovës duke pasur përfaqësues në Kuvend dhe qeveri”, ka thënë Sfarqa.

Njazi Musliu, pronar i Kompanisë “Eurometal”, i cili ka vazhduar traditën ferizajase të përpunimit të metaleve, ka theksuar se deri tani biznesi i tij ka qenë i lënë pas dore. “Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk jemi mbështetur nga qeveria aktuale, por jemi plaçkitur në një far forme me politikat e këqija fiskale e tatimore si dhe me diskriminimin që na është bërë”, ka thënë Musliu, sipas të cilit, nga qeevrisja e ardhshme e LDK-së pret lehtësime në veprimtarinë e tij, duke u shprehur i bindur se do të ketë shtim të kapaciteteve prodhuese dhe krijim të vendeve të reja të punës, sidomos për rininë.

Edhe në kompaninë “Fer Plast”, kryetari Mustafa dhe delegacioni që e shoqëronte ka premtuar mbështetje, ndërsa nga pronari, Sahit Krasniqi, është njoftuar me veprimtarinë dhe problemet me të cilat ballafaqohet.

Kandidati i LDK-së për kryeministër të Kosovës, Isa Mustafa, është zotuar se qeverisja e ardhshme, e cila do të drejtohet nga LDK, do të jetë mbështetëse e zhvillimit të biznesit në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)