Mustafa: Qeveria do të vazhdojë përkrahjen bizneset pejane
Gjatë takimit me kryetarin Muhaxheri, kryeministri u njoftua me punën dhe rezultatet që po arrihen në realizimin e projekteve zhvillimore, por edhe me vështirësitë me të cilat përballet Komuna e Pejës dhe qytetarët e saj.
Konsiderojmë se është bërë një punë e shkëlqyer në interes të qytetarëve të Pejës. Kjo Komunë nuk punon vetëm për vetveten, por ka ndikime reflektuese edhe në zhvillimin e komunave përreth, për arsye se ka një rol metropolitan, edhe pse jo të përcaktuar me ligj, por në pikëpamje të efekteve ekonomike. Kemi shumë biznese të koncentruara këtu dhe kemi një bashkërenditje të shkëlqyeshme të kryetarit të Komunës dhe të udhëheqjes me komunitetin e bizneseve, tha kryeministri Mustafa, duke përgëzuar kryetarin Muhaxheri për punët e bëra edhe në fushën e infrastrukturës, në zgjidhjen e problemeve në fushën e arsimit, në infrastrukturën kulturore.
Kryeministri Mustafa tha se gjatë takimit është biseduar edhe për përkrahjen që i nevojitet Komunës në fushën e bujqësisë.
Kemi përvoja shumë të mira të zhvillimit të bujqësisë këtu lidhur me projektin turistik i cili është përgatitur dhe të cilin do ta përkrahim tërësisht, lidhur me zonën ekonomike që do të investohet dhe do të ndërtohet në këtë Komunë, e cila po ashtu do të ketë efekte zhvillimore edhe për komunat përreth edhe lidhur me konsolidimin e mëtutjeshëm financiar të Komunës karshi konsolidimit që e kemi ne në nivel të buxhetit qendror, tha kryeministri Mustafa.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se kryeministrin Mustafa e ka njoftuar për projektet e rëndësishme zhvillimore, por edhe për problemet në fusha të ndryshme me të cilat po përballet Komuna.
Diskutuam për projektin e Borea-s që po i afrohet finalizimit të procedurave ligjore për ta vënë në partneritet publiko-privat. Kryeministri na mbështeti fuqishëm për realizimin e këtij projekti i cili do të jetë projekt zhvillimor për gjithë rrafshin e Dukagjinit, e besojmë edhe për tërë Republikën e Kosovës. Ne e informuam edhe për problemet që i kemi në arsim, bujqësi dhe në infrastrukturën rrugore, tha kryetari Muhaxheri.
Në interesimin e gazetarëve për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, kryeministri Mustafa tha kjo çështje nuk është diskutuar në takimin e sotëm, por se është biseduar në takimet e mëparshme.
Unë vetëm mund të them se komisioni e ka dhënë një vlerësim të pavarur si komision ndërkombëtar. Ne si Qeveri i kemi ofruar vetëm dokumentacion, në qoftë se ata do të kërkonin nga ne. Nuk kanë kërkuar diçka, sepse ata e kanë marrë dokumentacionin nga Komisioni Shtetëror.\"
\"Unë mendoj se ne duhet ta vlerësojmë këtë punë, sepse dikujt duhet ti besojmë. Përndryshe nuk mund të sillemi jashtë vlerësimeve. Është një komision që ka qenë kompetentë në pikëpamje edhe të përbërjes, por edhe në pikëpamje të përgjegjësisë, sepse ne gjithsesi duhet ta vlerësojmë përgjegjësinë e tyre dhe është një çështje që duhet të përmbyllet.\"
\"Ajo që unë ju garantoj si kryetar i Qeverisë është se ne asnjë metër tokë nuk do të lejojmë që ta humb Kosova. Dhe ne vlerësojmë se nuk është humbur. Nëse një qytetar i Kosovës, njerëzit që janë qeveritar, Komuna e Pejës apo ndonjë Komunë tjetër e vërteton se një metër katror e Kosovës ka kaluar në Malin e Zi ne kemi edhe zotimin e palës malazeze që çdo moment ata janë në gjendje të ulen dhe të korrigjojnë çdo gjë.\"
\"Tash është vërtetuar se as nuk kemi marrë nga malazezët e as nuk ju kemi dhënë malazezëve asnjë metër tokë. Pse njerëzit dalin dhe operojnë me 8 mijë hektarë ose 10 mijë hektarë është çështje e tyre. Por, në asnjë rast nuk është vërtetuar se një metër katror është këmbyer me Malin e Zi, ka thënë kryeministri Mustafa.
I pyetur për protestën e opozitës, kryeministri Mustafa tha se është në natyrën e çdo opozite që gjithmonë të shprehë pakënaqësi.
Ne natyrisht se duhet të respektojmë çdo vendim të opozitës dhe çdo sjellje, por unë mendoj se në këtë rast nuk kanë më argumente të protestojnë për arsye se kanë pasur hapësirë që të ulen me këtë komision, ti paraqesin argumentet e tyre dhe i kanë paraqitur, por komisioni ka konstatuar se në pikëpamje ligjore është kryer çdo gjë në rregull, në pikëpamje teknike është përfunduar po ashtu çdo gjë në rregull, sepse janë marrë hartat parasysh që janë relevante, është marrë dokumentacioni kadastral që është relevant.\"
\"Unë i kam pyetur edhe përpara njerëzit në qoftë se Komuna e Pejës i ka 602.8 kilometra katrorë dhe e ka edhe sot atë sipërfaqe, atëherë kah dolën 8 mijë hektarë që u humbën në këtë pjesë. Ato 8 mijë hektarë është dashur të gjenden diku. Sepse nuk mund të humben 8 mijë hektarë e Komuna e Pejës të mos e humbë asnjë metër katror. Dikush duhet të jap përgjegjësi, ka thënë kryeministri Mustafa.
Në pyetjen se a duhet Demarkacioni të shkoj për ratifikim në Kuvend, kryeministri Mustafa tha se tani kjo duhet të procedohet në Kuvend.
Kur do të procedohet prapë do ta shohim, sepse konsideroj se duhet të arrijmë një pajtueshmëri, sepse territori i Kosovës nuk është territor vetëm i pozitës, është territor i qytetarëve të Republikë së Kosovës, territor për të cilin kanë përgjegjësi të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, u shpreh kryeministri.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se është mbajtur një seancë e Kuvendit Komunal, ku me 30 vota pro është votuar rezoluta që i është drejtuar Komisionit për Demarkacion.
Ne si Komunë, për dallim nga Komunat tjera posedojmë kadastrin origjinal. Me kadastrin tonë kjo i bie se është ashtu. Është e dhimbshme sepse qytetarët tanë e mendojnë se edhe ajo pjesë e territorit i takon Republikës së Kosovës, por me dokumente nuk kemi fakte që i takon. Ana emocionale te qytetarët dhe te unë si kryetar i tyre mbetet se Çakorrin gjithmonë e kemi konsideruar kufi. Tash dokumentet nuk e aprovojnë këtë çfarë po pretendojmë ne, tha Muhaxheri.
Më pas, kryeministri Isa Mustafa ka vizituar kompaninë Elkos Group, ku është njoftuar nga drejtuesit e saj për punën aktuale, projektet e shumta ai dhe shtrirjen e saj jashtë Kosovës.
Kryeministri Mustafa shprehu kënaqësinë për vizitën në ELKOS, duke thënë se orientimi themelor në këtë mandat ka qenë përkrahja e bizneseve dhe mospengimi i tyre si hap i parë.
Po punojmë që të ndryshohen ligjet dhe rregullativa ligjore për tiu përshtatur një ambienti më të mirë të të bërit biznes. Fakti që bizneset private po tregohen shumë të suksesshme, po tregohen shumë ndërmarrëse, po marrin riskun e zhvillimit mbi vete dhe atë nuk po ia kalkulojnë as Qeverisë e as shtetit, por me zotësinë e tyre po bëjnë punën e vet, është një rast i veçantë, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, tha se kjo kompani me 3 mijë njerëz të angazhuar dhe me perspektivë për të dyfishuar atë për një periudhë të shkurtër kohore, është një shembull i Kosovës që duket më ndryshe sesa nganjëherë në po përpiqet të shfaqet në Prishtinë apo diku tjetër.
E gjithë kjo që po shihet, këto produkte, këto ambicie dhe këto rezultate më japin shpresën se ne mund të bëjmë dhe se duhet të bëjmë shumë më shumë për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve, do të hapen vende të punës.\"
\"Qeverisë i mbetet që të përkrah bizneset, që të përcjell me rregullativë ligjore rrugën e cila krijon një ambient shumë më të mirë për biznes, dhe po ashtu të hapim tregjet e jashtme dhe të sigurojmë që përmes implementimit të MSA-së e cila hyn në fuqi nesër, bizneset tona dhe kjo kompani të jetë në të gjitha tregjet e Bashkimit Evropian, tha kryeministri Mustafa, pas vizitës në ELKOS.
Më tej, kryeministri Mustafa, i bëri një vizitë edhe Kompanisë Devolli Group, ku u njoftua nga drejtuesit e saj për punën që po bënë kjo kompani.
Kryeministri Mustafa shprehu interesimin për bashkëpunim në kuadër të politikave fiskale dhe atyre zhvillimore, në mënyrë që ato ti përshtaten ambientit kosovar dhe nevojës së zhvillimit, veçmas sferës së prodhimit.
Është një korporatë e cila ka mbi 800 punëtorë dhe që ka bashkëpunim me rreth 15 mijë fermerë në fushën e bujqësisë, që është një gamë e zhvilluar e bashkëpunimit, tha kryeministri, duke shprehur gëzimin që këto biznese e shohin interesin e tyre sa i përket politikave fiskale dhe politikave zhvillimore të cilat po i ndërmerr Qeveria.
Unë zhvillimin e politikave ekonomike nuk e shoh momentale, por e shoh si zhvillim i cili do të ndodhë gradualisht karshi reflektimit të bizneseve, ambientit biznesor dhe karshi interesave të ekonomisë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Mustafa.
Ndërkaq, përfaqësuesi i kompanisë Devolli Group i ka premtuar kryeministrit Mustafa se prodhimet dhe shërbimet e kompanisë do të ngritën në nivel akoma më cilësor.
Gjatë qëndrimit në Pejë, kryeministri Mustafa ka vizituar edhe kompaninë e specializuar në Shtyp Digjital, Top Reklama, kompaninë Line Group, Fabrikën për prodhimin e uniformave të punës ArtaTex, si dhe bëri një vizitë në Çarshinë e Pejës ku u takua me shumë qytetarë dhe tregtarë.
Kryeministri Isa Mustafa me këtë rast tha se është kënaqësi takimi me ndërmarrës të vyeshëm, të guximshëm të cilët po hapin vende të punës, po krijojnë perspektivë të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Po ndihmojnë po ashtu që ta përmirësojnë bilancin tregtar me jashtë për arsye se po investojnë produkte të cilat janë konkurruese jo vetëm brenda, por edhe me tregun evropian, atë zviceran dhe në Gjemani. Na vjen shumë mirë që ka eksporte atje dhe planifikohet të investohet në linja të reja të cilat do të eksportojnë.\"
\"Unë do të marrë parasysh të gjitha vërejtjet, sugjerimet e jo vetëm shprehjet e mira të bizneseve lidhur me politikat e deritanishme fiskale, por çdo vërejtje, sugjerim i cili do të ndihmojë që ambienti të bëhet më i përshtatshëm për biznese, sepse këto biznese meritojnë pa marrë parasysh madhësinë e tyre që të përkrahen.\"
\"Unë mendoj se një koalicion shumë më i fortë me biznese do ta qoj Kosovën përpara në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, në pikëpamje të punësimit dhe të eksportit që ne synojmë, tha kryeministri Mustafa.
E përbashkëta e përfaqësuesve të bizneseve që janë vizituar nga kryeministri Isa Mustafa ishte qëndrimi i tyre se reformat e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës e kanë lehtësuar ndjeshëm mundësinë që bizneset kosovare të jenë sa më konkurrente në treg.
Ata njëkohësisht shprehën bindjen e plotë se Qeveria dhe Komuna do të vazhdojnë përkrahjen për rritjen e kapaciteteve dhe kualitetit të prodhimeve kosovare për eksport jashtë vendit, si mënyra më e mirë për zhvillim ekonomik dhe zvogëlim të papunësisë.