16 Nëntor 2024

Mustafa: Qeveria do të stimulojë zhvillimin e bizneseve

Prishtinë, 2 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi sot Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2015”, i cili po mbahet në Qendrën e Panaireve, në Prishtinë.

Kryeministri Mustafa ka vizituar bizneset e pranishme në këtë Panair, ku ka biseduar me drejtuesit e tyre lidhur me veprimtaritë që ushtrojnë dhe projektet e tyre në të ardhmen.

Në një deklaratë për medie, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se vizita në këtë Panair dëshmon se situata është më e mirë se që prezantohet jashtë dhe se bizneset e pranishme këtu nuk janë pesimiste sa i përket të bërit biznes.

“Natyrisht se kanë kërkesa që të ju ndihmojmë edhe më tepër sa i përket politikave fiskale dhe politikave zhvillimore, në mënyrë që ata ta kenë më lehtë, por të gjithë janë perfeksionuar në fushën e tyre, produktet i kanë shumë të mira, i kanë konkurruese, jo vetëm brenda por edhe në tregun regjional dhe tregun botëror, dhe kanë krijuar stabilitet”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur besimin se në vitet e ardhshme do të ketë edhe më shumë biznese kosovare.

“Unë ju premtova bizneseve dhe kryetarit të Odës se ne do të bëjmë çdo gjë, në mënyrë që ta orientojmë dhe ta fokusojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës në stimulimin dhe nxitjen e bizneseve, në hapjen e vendeve të punës dhe në konkurrencë, sepse nuk jemi të interesuar që të kemi biznese vetëm në Kosovë, por jemi të interesuar që bizneset tona të dalin dhe të konkurrojnë edhe në tregun regjional dhe në tregun evropian”, theksoi kryeministri Isa Mustafa. 

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, në emër të bizneseve u shpreh i nderuar me vizitën e kryeministrit, duke theksuar se kjo është edhe një dëshmi që për kabinetin aktual, prioritet kryesor është zhvillimi ekonomik dhe mbështetja e sektorit privat.

“Vizita e kryeministrit është një motivim dhe inkurajim për sektorin privat dhe besoj që është një motivim shtesë që të jemi të orientuar bashkërisht drejt sektorit privat dhe zhvillimit të tij, si i vetmi sektor që mund të gjenerojë stabilitet ekonomik dhe stabilitet social, si dhe mbi të gjitha të përmirësoj imazhin e Kosovës dhe të promovojë vlerat integruese”, u shpreh kryetari i OEK-ut, duke e falënderuar kryeministrin Mustafa për përkrahjen e ofruar.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)