Mustafa: Qeveria do të mbrojë bizneset kosovare
Prishtinë, 24 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi të martën Kuvendin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ku u takua me përfaqësuesit e bizneseve dhe udhëheqjen e OEK-ut.
Në një fjalë rasti të mbajtur para pjesëmarrësve, kryeministri Mustafa theksoi se për Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk ka prioritet më të rëndësishëm sesa zhvillimi ekonomik i vendit.
Kryeministri i njoftoi bizneset me agjendën konkrete të prioriteteve të Qeverisë së Kosovë në këtë drejtim, duke theksuar se Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për partneritet me bizneset, në mënyrë që së bashku të krijojmë një aleancë të përbashkët për zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu i njoftoi me reformat substanciale të Qeverisë në krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Në këtë kontekst, kryeministri siguroi përfaqësuesit e bizneseve për angazhimin maksimal të Qeverisë për krijimin e kushteve të barabarta për qasje në treg nga ana e bizneseve, duke eliminuar çdo formë të diskriminimit.
Kryeministri Isa Mustafa gjithashtu shprehu brengën e Qeverisë për pengesat me të cilat ballafaqohen bizneset kosovare si rezultat i mungesës së liberalizimit të vizave, duke dëmtuar bizneset kosovare dhe konkurrueshmërinë e tyre në raport me bizneset e vendeve të rajonit.
Po ashtu, kryeministri Mustafa i siguroi përfaqësuesit e bizneseve për masat që po ndërmerren dhe vendosmërinë e Qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat pengojnë investimet e huaja dhe zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të Kosovës.