14 Nëntor 2024

Mustafa përuroi funksionalizimin e Bifurkacionit të Nerodimes


Ferizaj, 5 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në përurimin e funksionalizimit të Bifurkacioni të Nerodimës, ku u shënua edhe Dita Botërore e Mjedisit.
 
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministra, deputetë, kryetari i Komunës së Ferizajt dhe shumë qytetarë e ambientalistë nga Ferizaj e më gjerë.
 
Kryeministri Mustafa tha se Dita Botërore e Mjedisit flet për ndërgjegjësimin e njerëzimit për kujdes ndaj planetit dhe ndaj mjedisit si dhe marrjen e përgjegjësive për mjedisin.
“Edhe motoja e kësaj dite është që ne të kujdesemi për vendin tone, të kujdesemi për planetin dhe të marrim përgjegjësinë për të. Është edhe ditë e njerëzve sepse është në vullnetin e tyre, në përgjegjësinë e tyre, që ata të marrin masa pozitive që të përmirësojnë ambientin në të cilin jetojnë”, tha kryeministri.
 
Më tej, kryeministri Mustafa tha se Bifurkacioni i Nerodimes është një monument shumë i veçantë për Kosovën.
“Këtu në ndarjen e këtij lumi në dy lumenj, të cilët na qesin pastaj në dy dete të ndryshëm, në Detin Egje dhe në Detin e Zi, është një rast i veçantë i cili është këtu tek ne në Kosovë. Ne kemi dëshirë që ta kultivojmë, ta mbajmë mirë, të zhvillojmë turizëm, të krijojmë kushte që njerëzit të vijnë dhe ta vizitojnë sepse vërtetë meriton vizita dhe meriton kujdes”, tha kryeministri, duke falënderuar Komunën, Ministrinë dhe Komisionin Evropian për investimet.
 
Kryeministri Mustafa, më tej tha se këto investime tani duhet të rikthehen dhe t’u jepet vlera e tyre.
“Të punojmë dhe të japim shembull të mirë se si duhet të kujdesemi në mënyrë që mjedisin ta bëjmë më të përshtatshëm për njerëzit, për qytetarët tanë, për fëmijët tanë dhe për ardhmërinë tonë”, tha kryeministri Isa Mustafa.
 
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, tha se Dita Botërore e Mjedisit është një datë e veçantë për Kosovën sepse është ditë kur mund të shpalosen të gjitha vlerat e mjedisit të Kosovës, vlera të shënuara edhe në përmasa botërore e të cilat meritojnë të mbrohen në mënyrë institucionale.
 
Ministri Agani foli edhe për faktin se shumë prej këtyre vlerave janë të kërcënuara si pasojë e proceseve të ndryshme degraduese, duke shprehur përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për të punuar edhe më shumë që këto degradime të parandalohen dhe të ndërpriten dhe që këto vlera të mbrohen.
 
Ministri më tej ka folur për çështjet e shumta globale mjedisore që kanë nevojë për vëmendje urgjente siç janë ndryshimet klimatike, siguria mjedisore dhe zhvillimi i qëndrueshëm mjedisor.
 
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa tha se funksionalizimi i Bifurkacionit të Nerodimes është ngjarje shumë e rëndësishme për Ferizajn dhe Kosovën, pasi që e vendos në rrugë të mirë këtë fenomen të rrallë për të luajtur rolin që ka në pasurinë turistike e natyrore.
 
Sfarqa tha se funksionalizimi i Bifurkacionit paraqet një prej vendimeve më domethënëse të Qeverisë për të ndihmuar Ferizajn që të realizoj synimet zhvillimore të saj.
 
Ai më tej tha se Komuna e Ferizajt, me përkrahjen e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, ndodhet në prag të nisjes së investimeve të rëndësishme zhvillimore.
“Këto investime pritet të përmirësojnë ndjeshëm gjendjen infrastrukturore dhe gjendjen e qytetarëve të Komunës së Ferizajt dhe të rrethinës”, tha Sfarqa, duke përmendur fillimin e ndërtimit të Spitalit Rajonal në Ferizaj, zgjidhjen e problemit të hekurudhës, zgjerimin e rrugëve nacionale dhe hyrje daljet e Ferizajt dhe investimet me Hidrosistemin e Lepencit, që do t’ia zgjidhin Ferizajt përfundimisht problemet e ujit të pijshëm dhe të ujitjes.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)