Mustafa: Me reciprocitet rritet pavarësia ekonomike e Kosovës
Prishtinë, 14 gusht - Profesori i Ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë do ta rrisë pavarësinë ekonomike të Republikës së Kosovës dhe do ta bëjë vendin tonë partner shumë serioz në mbrojtjen e interesave ekonomike dhe biznesore.
Vendosja e masave të reciprocitetit me Serbinë e rrit pavarësinë ekonomike të Kosovës, e bën atë partnere më serioze, i mbron interesat e veta ekonomike dhe të bizneseve të veta, e përmirëson mjedisin konkurrues, pasi bizneset e Serbisë kanë pasur, pa të drejtë, një status të privilegjuar dhe shpesh kanë hyrë edhe pa paguar as doganë e as TVSH.
Kjo masë do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e prodhimit vendor, gjithashtu edhe në shtrirjen e partneriteteve në tregti, sidomos me vendet e rajonit - me Shqipërinë dhe Turqinë - në mënyrë të balancuar, ka thënë për Epokën e re, profesori i Ekonomisë, Muhamet Mustafa.
Në këtë kontekst, Mustafa ka shtuar se me fuqizimin e bizneseve vendore, sidomos atyre prodhuese, do të rriten investimet, të cilat do të krijojnë edhe vende të reja pune.
Përmirësimi i klimës biznesore dhe fuqizimi i bizneseve vendore priten ti rrisin investimet në projekte, të cilat do të krijojnë vende pune. Megjithatë, vetëm ky aksion i Qeverisë nuk mund ti zgjidhë tërë problemet, të cilat janë të lidhura me zbatimin e ligjit, korrupsionin, infrastrukturën, kreditë e shtrenjta, pagimin e doganës dhe TVSh-së në kufi etj.
Pikërisht edhe këto çështje duhet të adresohen më shumë, është shprehur Mustafa. Më tutje, ai ka thënë se me vendosjen e masave të reciprocitetit me shtetin serb në Kosovë do të rriten edhe shanset për investime të huaja. Është për tu pritur, por investitorët e huaj më shumë preferojnë tregtinë e lirë në rajon. Vetëm tregu i Kosovës nuk është atraktiv për investitorët e huaj, por vendosja e tregtisë së lirë me vendet fqinje i rrit shanset për investime, ka theksuar Mustafa.
Duke folur për invazionin fiskal, sidomos në veri të Kosovës, Mustafa ka potencuar se vendosja e masave të reciprocitetit me Serbinë është një hap shumë i rëndësishëm drejt eliminimit të kësaj dukurie negative, e cila deri më tani i ka shkaktuar dëme buxhetit të shtetit tonë. Është vështirë të themi se reciprociteti me Serbinë i jep fund invazionit fiskal në veri të Kosovës, por sigurisht se ky është një hap shumë i rëndësishëm, është shprehur Mustafa.