Mustafa i informoi bizneset gjermane për klimën e biznesit në Kosovë
Berlin, 2 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës zyrtare në Gjermani, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e bizneseve anëtare të Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane.
Gjatë takimit është biseduar për mundësitë e investimeve në Kosovë të kompanive të fuqishme gjermane, si Siemens, Opel, Veridos, AIRBUS, Papenburg, e kompani të tjera të pranishme në këtë takim.
Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe ministri Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, u bisedua për mundësitë dhe fushat e rëndësishme të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa i informoi përfaqësuesit e bizneseve për reformat e gjithmbarshme që po ndërmerr Qeveria e Kosovës për përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit në Kosovë.
Duke theksuar se ekonomia është prioriteti kryesor i Qeverisë, kryeministri Mustafa dhe anëtarët e delegacionit të Kosovës theksuan edhe masat konkrete që kanë për qëllim mbështetjen dhe zhvillimin ekonomik, përmirësimin e ambientit të biznesit, avancimin e politikave fiskale dhe hapat e tjerë që kanë për qëllim lehtësimin e investimeve të huaja në Kosovë.
Gjatë takimit u bisedua edhe për projekte konkrete si në sektorin e energjisë, në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, në bujqësi e fusha të tjera të ekonomisë, të cilat mund të përkrahen edhe nga institucionet e ndryshme financiare, si Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Evropiane Investive, KfW, etj.
Përfaqësuesit e ndërmarrjeve gjermane të pranishëm në këtë takim, vlerësuan përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të krijuar ambient të volitshëm për investime të huaja, duke shprehur interesimin e tyre për projekte konkrete në Kosovë.