Mustafa: Ekonomia e Kosovës ka pasur normë më të lartë të rritjes
Prishtinë, 8 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës (KKZHE).
Në këtë mbledhje të parë në përbërje të re, ku morën pjesë ministra, përfaqësues të Bashkimit Evropian, udhëheqës të asociacioneve të biznesit dhe anëtarë të tjerë të KKZHE-së, u shqyrtuan përgatitjet për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, Programi Qeveritar 2015-2018 sfidat dhe adresimi i tyre si dhe tema të tjera të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
\"Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, besoj se një Qeveri e cila e dëgjon sektorin privat, do të arrij me suksese të hartoj reforma të qëndrueshme dhe të fitoj mbështetje për politikat e saj. Prandaj qasja jonë është që përmes diskutimit të përbashkët të mundësojmë ndërtimin e besimit dhe mirëkuptimit ndërmjet sektorit privat, Qeverisë dhe sektorit publik\", ka theksuar ai.
Sipas tij Ekonomia e Kosovës ka pasur normë më të lartë të rritjes në rajon dhe është karakterizuar me qëndrueshmëri makroekonomike.
\"Por normat aktuale të rritjes nuk mjaftojnë që rritja ekonomike të absorboj fluksin e të papunëve që ka vendi ynë\", ka theksuar ai.
Ai ka deklaruar se ata do ta vazhdojnë dialogun që e kemi filluar me bizneset. Këtë dialog do ta zhvillojmë dhe bashkërendisim së bashku me ju.
\"Aty do të vlerësojmë efiçencën e politikave ekonomike të cilat po i ndërtojmë dhe po i promovojmë, por edhe ndryshimet dhe përshtatjet e këtyre politikave karshi nevojave të bizneseve dhe stabilitetit makroekonomik të vendit, i cili është i domosdoshëm për ne\", ka theksuar.
\"Unë jam i bindur se ne kemi nevojë për një bashkëpunim të fuqishëm me sektorin privat, prandaj ju ftoj të gjithë juve që të jepni kontributin e juaj përmes ideve dhe adresimit të sfidave, më të cilat po ballafaqohen bizneset sot në aktivitetet e tyre ekonomike\", ka theksuar ai.
\"Falënderoj edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe të z. Zhbogar, që gjithmonë janë me ne kur ne adresojmë çështjet zhvillimore dhe shfaqin interesimin dhe angazhimin e tyre konkret që të arrijmë rezultate më të mira në zhvillimin ekonomik si bazë themelore e zhvillimit social të Kosovës\", ka theksuar ai.