18 Nëntor 2024

Mustafa: Bizneset e vogla do të paguajnë përgjysmë më pak tatim

Prishtinë, 23 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, gjatë një vizite që iu bëri bizneseve të Prizrenit, prodhuesit të hidroizolimit “Izokos”, inovatores së barnave, Ajtene Sadiku-Krasniqi dhe një pemishte në fshatin Hatmaxhe, ka thënë se gjatë qeverisjes së LDK-së, bizneset e vogla do të paguajnë përgjysmë më pak tatim në qarkullim, nga 9% sa është tani, tatimi do të zvogëlohet në 4,5%. 

“Do të aplikohet një sistem i thjeshtë tatimor, me procedura të thjeshta të deklarimit të tatimeve, nëpërmjet avancimit të sistemit elektronik të raportimit dhe kontrollit, si dhe duke siguruar trajtim të barabartë të tatimpaguesve dhe shpërndarje proporcionale të barrës tatimore”, ka thënë kreu i LDK-së.

Gjatë bashkëbisedimit me prodhues vendor, Mustafa ka thënë se LDK-ja promovon politikat fiskale në harmoni me kriteret të cilat derivojnë objektivat ekonomike, duke stimuluar investimet e reja, punësimin dhe tërheqjen e kapitalit të jashtëm.

“Tatimet e larta dekurajojnë investimet produktive dhe dëmtojnë punësimin. Tatimet duhet të jenë aq sa nevojitet për t’i mbuluar funksionet thelbësore të shtetit, duke i lënë qytetarët dhe bizneset të vendosin vetë për formën e investimit të të ardhurave të tyre”, ka thënë Mustafa.

Plani qeverisës i LDK-së në fushën e ekonomisë parasheh që të ulet pragu i regjistrimit të bizneseve në TVSH nga 50,000 euro në 30,000 euro. “Kjo do t’u mundësojë shumë bizneseve të operojnë më lehtë dhe të rriten. Kjo do të rriste bazën tatimore për rreth 1,500 biznese dhe do të krijonte të hyra shtesë në vlerë prej 3 milionë eurosh”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryeministër.

Për të forcuar sektorin privat dhe bizneset vendore Mustafa ka thënë se do të lirohet nga çfarëdo obligimi doganor importi i pajisjeve të teknologjisë informative. “Këto pajisje përdoren sidomos nga gjenerata e re në sektorin e shërbimeve. Kjo do ta mënjanonte ekonominë e zezë në këtë sektor, që vlerësohet të jetë rreth 20%. Heqja e ngarkesës doganore për këto pajisje do të siguronte rreth 30% rritje të këtij sektori”, ka thënë Mustafa.

Ai ka potencuar se mënyra më efektive që bizneset vendëse të zotërojnë tregun vendor dhe të depërtojnë në tregjet ndërkombëtare, është nëpërmjet rritjes së produktivitetit dhe zvogëlimit të kostove.

Drejtuesi i Këshillit të ekspertëve të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se qeveria e drejtuar nga Mustafa do ta trefishojë buxhetin në bujqësi dhe do të krijojë sisteme të ujitjes për të nxitur prodhimtarinë ekstenzive bujqësore.

Hoti e ka quajtur të pakuptimtë që Kosova importon në vit rreth 600 milionë euro produkte bujqësore, ndërsa vetëm produkte të qumështit importohen 80 milionë euro në vit. “Ky raport i bilancit tregtar me botën e jashtme do të ndryshojë në favor të prodhimeve vendore”, ka thënë Hoti.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)