Mungesa e standardeve në shërbimet publike problem për bizneset
Prishtinë, 30 tetor - Ulja e cilësisë së shërbimit për konsumatorët është një nga problemet kryesore me të cilat po përballen Operatorët Kabllorë në komuna të ndryshme të Kosovës, u tha në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me përfaqësuesit e Operatorëve Kabllorë Ipko, OrangeNet dhe Kujtesa.
Vendosja e ndriçimit publik në rrugët e qyteteve duke shpërfillë standardet Evropiane, e cila ka si pasojë lirimin e fushës magnetike që po kalon në kabllat e operatorëve kabllorë po ndikon në ulje të cilësisë së shërbimit, gjë që përveç dëmtimit të bizneset njëkohësisht po dëmton edhe konsumatorët, u tha nga përfaqësuesi i IPKO Lavdrim Sadiku.
Ai shtoi që edhe pse kanë realizu takime me drejtorin e shërbimeve publike të komunës së Ferizajit, ku u dakorduan që Operatorët Kabllorë të blejnë filterat e nevojshëm, ndërsa vendosja e tyre të bëhet nga kontraktori për ndriçim publik, kjo marrëveshje po bie në ujë pasiqë nuk po respektohet.
Vedat Morina përfaqësues i OrangeNet tha që Operatorët Kabllorë janë duke realizuar veprimtarinë e tyre me humbje si pasojë e problemeve me të cilat po përballen. Ai shtoi që përveç dëmtimit të klientit që vie nga cilësia e dobët e shërbimit, mungesa e tokëzimit gjithashtu po ndikon në dëmtimin e pajisjeve dhe lëndimin e punëtorëve, i cili po konsiderohet si dëmi më i madh.
Përveç komunës së Ferizajit, këtë problem po e hasim edhe në komuna tjera ndër të cilat Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Shtërpca, Kaçaniku etj dhe për të cilat duhet të ndërmerren hapat e nevojshëm, shtoi përfaqësuesi i Kujtesa, Amir Kransiqi.
Kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi theksoi që Oda do të përkrahë çdo kërkesë e cila ndikon në përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë, duke shtuar që angazhimi nuk do të mungoj edhe për problemin e adresuar. Krasniqi identifikoi hapat që OAK do të ndërmarr për këtë rast dhe theksoi që beson se suksesi për zgjidhjen e këtij problemi nuk do të mungoj.
Oda e Afarizmit të Kosovës në këtë takim u përfaqësua nga: kryetari i bordit Skënder Krasniqi, sekretari i bordit Diamant Elshani, anëtari i bordit Hysni Zogaj dhe zyrtarja Mirjeta Shala.