07 Nëntor 2024

Mungesa e institucioneve po dëmton ekonominë dhe bizneset

Prishtinë, 4 korrik - Vonesat në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të qershorit, do të ndikonin negativisht në ekonominë e vendit. Kështu është shprehur Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

“Ne si Odë Ekonomike kemi kërkuar një azhuritet më të madh dhe kemi apeluar që të kemi institucionet e reja sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë Gërxhaliu, duke shtuar se viti 2017 ka specifikat e veta, duke përmendur këtu Samitin e Berlinit. Sipas tij, zgjedhjet e qershorit e kanë pasur koston e vet dhe Kosova nuk e ka komoditetin që brenda një viti të ketë dy palë zgjedhje.

“Ajo që është më esenciale është që viti 2017 është vit i Samitit të Berlinit, një proces që ka rëndësi multidimensionale”, thotë Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, pa konstituim të Kuvendit të Kosovës, do të ketë efekte negative në aspektin intern, pasi nuk do të ketë rialokim të buxhetit, do të ketë ngecje në pakon e dytë fiskale dhe pengesa të tjera të drejtpërdrejta mbi biznesin.

“Në aspektin ekstern, do të ndikoj keq mospërgatitja ose një qasje me një seriozitet të duhur çfarë kërkohet për Samitin e Berlinit”, thotë Gërxhaliu, duke shtuar se disa liderë politikë e kanë vënë interesin partiak mbi interesin e shtetit.

“Dua të them se vendet e rajonit janë duke bërë garë për të qenë sa më denjësisht të prezentuar me projekte dhe me një agjendë të qartë, ne si duket jemi duke u marrë me vetveten”, thotë Gërxhaliu.

Kryetari i OEK-ut shprehet se vendit i duhet zhvillim ekonomik, i bazuar në rend dhe sundim të ligjit.  Ai shprehet se është skeptik që institucionet do të mund të krijohen gjatë muajit korrik.

Sipas tij, mungesa e institucioneve po dëmton edhe bizneset. Ai përmend pamundësinë e rishikimit të buxhetit dhe rrjedhimisht edhe mospërmushjen e obligimeve financiare ndaj operatorëve që janë duke kryer projekte të ndryshme publike.

“Ky ngërç politik po gjeneron efekte multiplikative dhe mendoj se është koha kur duhet të mendohet për qytetarët e Kosovës dhe për shtetin e Kosovës”, thotë Gërxhaliu, duke shtuar se nëse vazhdon kjo gjendje e vakumit institucional do të ketë pezullim edhe të shumë projekteve kapitale.

Nga ana tjetër, një alarm të ngjashëm e ka dhënë edhe vetë ministri i Financave, Avdullah Hoti në mbledhjen e fundit të kabintetit qeveritar.

Ministri Hoti ka theksuar se në mungesë të rishikimit të bxuhetit do të përballen me vështirësi në kryerjen e obligimeve.  

Sipas tij, nuk ka fonde për pagesat e veteranëve të luftës, ku duhen edhe 24 milionë euro për të përmbyllur vitin sipas obligimeve ligjore, pastaj mungojnë 80 milionë euro për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit si dhe nuk ka fonde të destinuara as për zgjedhjet lokale të vjeshtës.

“Një pjesë e konsiderueshme e obligimeve që kemi për kontratën e autostradës janë paraparë nga mjetet që vijnë prej AKP-së, për të cilën ne duhet të ndryshojmë ligjin për AKP-në, për të mundësuar tërheqjen e këtyre mjeteve. Ligji është i gatshëm por në mungesë të Parlamentit funksional është e pamundur që të procedohet. Këtu janë 80 milionë euro, që duhet të gjejmë format se si t’i rishpërndajmë, rialokojmë prej projekteve të tjera”, ka thënë Hoti.

Po ashtu, shteti ka edhe obligime të tjera të papërfunduara siç është vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit për kontratën në Ministrinë e Punëve të Brendshme për çështjen e pasaportave prej 5.3 milionë eurove që tash pritet të merret vendimi përfundimtar dhe kjo do të jetë një ngarkesë në veçanti për Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse nga buxheti i Ministrisë së Brendshme sipas ligjit duhet të kryhet ky obligim.

Sipas Hotit, në total janë 112 milionë euro, që qeveria ka mungesë buxhetore për shkak të mosfunksionimit të Parlamentit dhe pamundësisë që të bëhet rishikimi i buxhetit.

“Duhet të shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë që i kemi brenda ligjit për rialokime deri në 15 për qind, brenda Ministrisë së Financave dhe deri në 25 për qind në Qeveri”, ka thënë Hoti

Edhe kryeministri Mustafa ka kërkuar që të shikohet çështja e rishikimit të buxhetit. “Kisha lutur ministrin që të na prezantoj edhe këto probleme dhe pastaj mundemi në një mbledhje të ardhshme të ulemi të bisedojmë se çka duhet të bëjmë sepse janë disa detyrime të cilat nuk presin”, ka thënë Mustafa. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)