Mundësi më të mira punësimi për punëtorët sezonal në Kosovë
Prishtinë, 28 mars - Democracy Plus (D+) organizoi konferencën me temën "Mundësi më të mira punësimi për punëtorët sezonalë në Kosovë".
Në këtë ngjarje, e cila mblodhi së bashku përfaqësues të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Administratës Tatimore të Kosovës, Inspektoratit të Punës si dhe përfaqësues të Ambasadës Gjermane në Kosovë, u prezantua raporti final rreth angazhimit të punëtorëve sezonalë në sektorin e bujqësisë në Kosovë.
Në prezantimin e raportit të shkruar nga D+, u theksua se në bazën ligjore mungon definimi i punëtorëve sezonal, si dhe rregullimi i statusit të kësaj kategorie në legjislacion. Gjithashtu, mungojnë të dhënat rreth numrit të punëtorëve sezonal që angazhohen gjatë vitit në sektorin e bujqësisë.
Zëvendës Ambasadori Gjerman në Kosovë, Matthias Conrad me këtë rast theksoi: “Vende pune të drejta, mjedis më të mirë biznesi dhe rritje e të ardhurave nga taksat për të mirën publike – Gjermania mbështet përpjekjet ambicioze të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të trajtuar çështjen e ekonomisë joformale. Formalizimi dhe ulja e papunësisë do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe sigurimit social të qytetarëve, në veçanti të punëtorëve sezonal”.
Gjithashtu, Leunora Ahmeti nga Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve pohoi se në Ligjin e ri të Punës do të parashihet edhe rregullimi i kategorisë së punëtorëve sezonal si dhe krijimi i një regjistri elektronik për regjistrimin e tyre.
Në realizimin e kësaj të fundit edhe përfaqësuesit e Agjencisë Tatimore të Kosovës shprehën gatishmërinë për të kontribuar, po ashtu u konstatua se kuadër të Ligjit të ri për Administrimin e Procedurave Tatimore do të kërkohet qe punëdhënësi para se të nënshkruajë kontratën me punëmarrësin do të detyrohet ta regjistrojë atë.
Të pranishmit theksuan nevojën e një fushate sensibilizuese për informimin e bizneseve dhe qytetarëve për rëndësinë e regjistrimit të këtyre punëtorëve. Gjithashtu u konstatua rëndësia e përfshirjes së punëtorëve sezonalë në legjislacion si dhe përfshirja e tyre në kontributet pensionale dhe sigurimet shëndetësore.
Projekti rajonal "Mundësi më të mira punësimi për punëtorët sezonal në Evropën Juglindore" i cili mbeshtetet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH në emër të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) synon të prezantojë në Kosovë praktikat më të mira të formalizimit të punëtorëve sezonal, duke ndërgjegjësuar bizneset dhe vetë punëtorët për rëndësinë e formalizimit të këtij lloj punësimi dhe përfitimet që rrjedhin prej tij. Implementimi i këtij projekti në Kosovë bëhet nga Democracy Plus (D+).