Mundësi më të mira punësimi për punëtorët sezonal në Evropën Juglindore
Prishtinë, 26 tetor - Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) së bashku me partnerin lokal Democracy Plus (D+), mbajtën sot punëtorinë me temën "Mundësi më të mira punësimi për punëtorët sezonal në Evropën Juglindore: Analizë e situatës në Kosovë".
Në këtë punëtori, e cila mblodhi së bashku përfaqësues të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Administratës Tatimore të Kosovës, Inspektoratit të Punës dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe Co-Plan nga Shqipëria, u prezantua analiza rreth angazhimit të punëtorëve sezonal në sektorin e bujqësisë në Kosovë.
Në prezantimin e analizës së shkruar nga D+, theksohej se disa biznese nuk i regjistrojnë punëtorët e tyre pasi nuk shohin asnjë përfitim nga ky proces, nga ana tjetër mungon edhe vullneti i punëtorëve për t'u regjistruar pasi në disa raste iu ndërpritet ndihma sociale e tyre.
Gjithashtu u potencua se në kornizën legjislative në Kosovë mungon definimi i punëtorëve sezonal.
Menaxherja e projektit të GiZ - Amira Omanoviq theksoi se nevoja për formalizimin e punëtorëve sezonal, të cilët janë segment i veçantë i tregut të punës, është vërtetuar nga analiza e D+.
Të pranishmit theksuan nevojën e një fushate sensibilizuese për informimin e bizneseve dhe qytetarëve për rëndësinë e regjistrimit të këtyre punëtorëve.
Gjithashtu u konstatua rëndësia e përfshirjes së punëtorëve sezonal në legjislacion si dhe përfshirja e tyre në kontributet pensionale dhe sigurimet shëndetësore.
Projekti "Mundësi më të mira punësimi për punëtorët sezonal në Evropën Juglindore" i cili po zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH në emër të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) synon të prezantojë në Kosovë praktikat më të mira të formalizimit të punëtorëve sezonal, duke ndërgjegjësuar bizneset dhe vetë punëtorët për rëndësinë e formalizimit të këtij lloj punësimi dhe përfitimet që rrjedhin prej tij.
Projekti i punëtorëve sezonal vepron përmes një qasjeje me shumë nivele dhe shumë palësh të interesuara dhe do të zbatohet nga GIZ në bashkëpunim me partnerin lokal Democracy Plus (D+), Kosovë.