MTI nënshkruan marrëveshje për promovimin e punësimit
Prishtinë, 4 shkurt - Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë u nënshkrua Marrëveshja për Projektin për promovimin e punësimit në sektorin privat, ku ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe drejtori Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Markus Baechler, finalizuan aktin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje.
Ky projekt parasheh rritjen e punësimit fitimprurës dhe të qëndrueshëm për gratë dhe burrat në Kosovë përmes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), që operojnë në sektorë ekonomikë konkurrues dhe të mirë-organizuar, ku politikat publike përputhen më mirë me nevojat e sektorit privat. NVM-të e sektorëve të përzgjedhur do të rrisin produktivitetin e tyre dhe do të gjenerojnë të hyra shtesë dhe punësim.
Ministrja Bajrami, me këtë rast, pasqyroi edhe prioritetet dhe objektivat strategjike të Ministrisë të cilën e drejton, si dhe mbështetjen e zhvillimit të sektorit privat, duke përmirësuar klimën e biznesit.
Ajo prezantoi edhe avancimin e politikave tregtare, si dhe përmirësimi i lëvizjes së lirë të mallrave që do të jenë pjesë e strategjisë zhvillimore të ekonomisë vendore.
Po ashtu, ministrja Bajrami bëri të ditur se do të ketë përmirësime të theksuara edhe në qasjen e inkurajimit të investitorëve të huaj për të parë Kosovën si vend atraktiv për investime.
Ndërkaq, Markus Baechler, drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim theksoi se kjo marrëveshje do të ketë reflektime pozitive në fusha të ndryshme në sektorin privat në Kosovë, si dhe do të ndikojë edhe në ngritjen e kapaciteteve afariste për zhvillim të qëndrueshëm të afarizmit kosovar.
Vlera e këtij projekti do të jetë 5798000.00 CH (pesë milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë franga zvicerane) dhe se zbatimin e tij do ta bëjë konsorciumi në përbërje: Swisscontact, Instituti Riinvest dhe PEM Consult, që është përzgjedhur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë. Marrëveshja për realizimin e këtij projekti është për periudhën trevjeçare, duke filluar më 16 nëntor 2014 e deri më 15 nëntor 2017.
Përmes këtij projekti, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të kontribuojë në krijimin e ambientit të favorshëm për zhvillimin e mundësive të punësimit në Kosovë, si dhe do të ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar lejet e nevojshme dhe miratimet, në mënyrë që të mundësohet zbatimi i këtij projekti në mënyrë efikase dhe në kohë.