MSA-ja lehtëson shportën e konsumatorëve
Prishtinë, 10 prill - Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka deklaruar se MSA-ja lehtëson shportën e konsumatorëve për 24 milionë euro gjatë vitit 2016.
\"Me fillimin e zbatimit të MSA-së, Kosova ka filluar një fazë të re të marrëdhënieve ekonomike dhe politike me BE-në. Kjo marrëveshje mundëson krijimin e tregut të përbashkët të Kosovës dhe BE-së, reforma që lidhen me bashkëpunimin rajonal dhe, në veçanti, lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, punëtorëve dhe kapitalit;, ka theksuar ai.
Sipas tij përgjatë një periudhe 10 vjeçare, BE-ja do të mbështesë Kosovën të përmbyllë ciklin e tranzicionit drejt një ekonomie tregu të qëndrueshme dhe të integruar në BE. MSA-ja parasheh heqjen e barrierave tregtare (në sasi dhe vlerë) dhe tarifave doganore.
Kompanitë kosovare tani kanë qasje në një treg me 500 milionë konsumatorë. MSA do të nxisë investimet e jashtme, pasi kompanitë e BE-së do të mund të prodhojnë në Kosovë me kosto shumë më të lirë (kryesisht kostoja e fuqisë punëtore) dhe të eksportojë në BE pa asnjë pengesë. Këto investime krijojnë vende pune që janë shumë të nevojshme për Kosovën.
Në anën tjetër, qytetarët kosovarë do të kenë mundësi të blejnë produkte të prodhuara në BE me kosto më të lirë. Kostoja buxhetore e lirimeve doganore si rezultat i MSA-së vetëm për vitin 2016 është rreth 24 milionë euro. Në një treg konkurrent, kjo shumë pritet të mbesë në xhepat e konsumatorëve pasi ata blejnë më lirë mallrat e importuara nga BE krahasuar me më parë.
\"Vitet e para të zbatimin të MSA-së do të jenë sfiduese për prodhuesit kosovarë. Ata do të duhet të përmbushin kriteret e cilësisë për qasje në tregun e BE-së. Institucionet shtetërore do të jenë në krah të bizneseve për të ndihmuar prodhuesit të përmbushin këto kritere. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është dike punuar në këtë drejtim, për të subvencionuar drejtpërdrejt bizneset në marrjen e certifikatave të cilësisë për produkte nga institute respektove në vendet e BE-së. Ministria e Financave do të jetë në shërbim të prodhuesve kosovarë për të lehtësuar qasjen e tyre në tregun e BE-së\", ka shkruar ai në Facebook.