MPMS u pranua në Asociacionin Ndërkombëtar për Siguri Sociale
Gjenevë, 16 dhjetor - Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), u pranua në organizatën e rëndësishme - Asociacionin Ndërkombëtar për Siguri Sociale (ISSA).
Zv/Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Fatmir Shurdhaj, i shoqëruar nga këshilltari Viktor Mehana, gjatë vizitës në Gjenevë, u takuan me Sekretarin Gjeneral të Asociacionit Ndërkombëtar për Siguri Sociale (ISSA),Hans-Horst Konkolewsky si dhe Kordinatorin Regjional, Richard Levinsky, ku e pranoi të gjithë dokumentacionin e rregullt dhe dokumentin e pranimit të MPMS-së në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
Në takim u diskutuan edhe tema të cilat janë të rëndësishme në ngritjen e performancës dhe profesionalizmit të MPMS-së.
U diskutua, gjithashtu, për mënyrat dhe mjetet e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të ndryshme, anëtare të kësaj organizate, në sferën e sigurisë dhe shëndetit si dhe në avancimin e përgjegjësisë sociale të institucioneve tona.
Nga përfaqësuesit e ISSA-s u tregua një gatishmëri e lartë për përkrahje në nivel ekspertësh, për trajnime dhe ndihmë në fushën e legjislacionit, duke e përafruar atë me ligjet e Bashkimit Evropian.
ISSA, si organizatë, ka një shtrirje globale, kurse në të marrin pjesë gjithsej 333 shtete dhe organizata të ndryshme, që merren me sigurimet sociale dhe mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë.