MPMS, në bashkëpunim me zyrën e BE-së, punëson 69 punëtorë
Prishtinë, 21 mars - Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qazim Rrahamani, vizitoi sot Zyrën Rajonale të Punësimit në Ferizaj.
MPMS, në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe IOM-in, ka lansuar projektin e financuar nga zyra e BE-së në kuadër të programit Kosova e bukur 2, në të cilin do të punësohen 69 punëtorë, kryesisht nga komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas.
Zëvendësministri i MPMS-së, Qazim Rrahmani, tha se në vazhdën e vizitave dhe aktiviteteve nëpër Qendrat e Aftësimit Profesional dhe Zyrave Rajonale të Punësimit, sot po bëhet intervistimi i punëtorëve në projektin e rregullimit të varrezave të fshatit Dubravë, me çrast do të përfitojnë 69 punëkërkues, kryesisht nga komunitetet RAE.
Ai tha se do të trajtohen me prioritet pjesëtarët nga komunitetet, gratë, të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuar. Ky projekt financohet nga zyra e BE-së në Kosovë, ndërsa implementohet nga IOM-i. Nga gjithsej gjashtëdhjetë e nëntë të punësuar, 32 punëtorë do të jenë vetëm nga fshati Dubravë, ndërsa të tjerët nga fshatrat tjera të Komunës së Ferizajt. Sipas dinamikës së punëve përgatitore, implementimi i projektit do të fillojë më 2 prill.
Zëvendësministri Rrahmani, është zotuar se MPMS edhe në tëardhmen do të punojë në projekte të cilat gjenerojnë punësim dhe rritje të mirëqenies sociale.