MPMS i jep AKB 100,000 euro për organizimin e berzës së punësimit
Prishtinë, 9 shkurt - Është arritur nënshkrimi i marrëveshjes së mirëkuptimit në mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Aleancës Kosovare të Biznesit që ka për qëllim zhvillimin e mëtejmë të projektit Berza e Punësimit Kosova 2011, të nënshkruar nga ministri i MPMS-së Nenad Rashiq dhe kryetari i AKB-së Agim Shahini.
Ky projekt i dizajnuar nga MPMS ka për objektiv zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit të informacioneve në mes subjekteve të tregut të punës, harmonizimin më të mirë të ofertës dhe kërkesë në tregun e punës si dhe krijimin dhe avancimin e marrëdhënieve me partnerët.
Projekti Berza e Punësimit është tanimë tradicional i shtrirë në disa pjesë të Kosovës duke startuar këtë vit edhe me organizimin e kësaj berze në Komunën e Mitrovicës dhe Ferizajt, që më parë nuk ishin.
Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rashiq theksoi se MPMS do të mbuloj shpenzimet e këtij projekti në vlerë prej 100,000 euro, ku do të mbuloj shpenzimet e planifikuara për realizimin e këtij projekti siç është përgatitja e fletëpalosjeve, përgatitja e informatave të tregut të punës, raportin mbi punën dhe punësimin si dhe raportin e performancës.
Obligimet që e ngarkojnë Aleancën Kosovare të Biznesit janë ato të natyrës tekniko-administrative, reklamimin në media, sigurimin e kontratave të punës, hulumtimin dhe identifikimin e kompanive në tërë territorin e Kosovës për mundësinë e afrimit të shërbimeve të panairit të punësimit si dhe hulumton praktikat e mira nëpër vende të ndryshme së paku një në regjion e një në EU për rritjen e suksesit të projektit.
Gjendja reale e ekonomisë së Kosovës në krahasim me vendet në zhvillim dhe ngecja në fushat e punësimit është domosdoshmëria e një projekti të tillë, ku përmes këtij projekti synohet të punësohen punëkërkues të sektorëve të ndryshme me qëllim të një kontributi në zbutjen e papunësisë në vendin tonë.