MPMS: Duhet pritur ende deri te pensionet e punës
Prishtinë, 6 korrik - Në takimin e kësaj të hëne me zv/Ministren e MPMS-së, znj. Rita Hajzeri-Beqaj, kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka përcjellë prapë shqetësimin lidhur me çështjen e pensioneve dhe mos vënies në jetë të nenit 8, pika 6 të Ligjit për Skemat Pensionale të Paguara nga Shteti, Nr. 04/L-131 dhe ka apeluar të kjo Ministri që të shtohen angazhimet për të gjetur zgjidhjen në mënyrë që punëtorët e arsimit të gëzojnë pensionin e merituar.
Zv/Minstrja Hajzeri-Beqaj është shprehur se kupton shqetësimin e SBASHK-ut dhe ka shtuar se është duke u punuar që në Ligj të bëhet kategorizimi i pensioneve dhe të krijohen parakushtet dhe të sigurohen mundësitë buxhetore që mësimdhënësit dhe të tjerët të gëzojnë pensionet e merituara të punës sipas kategorizimit që të mundësonte Ligji.
Nga biseda në këtë takim vërehet se duhet pritur ende deri të pensionet e punës. Në takimin e radhës së Këshillit Drejtues të SBASHK-ut do të analizohet gjithë kjo çështje dhe do të merret vendim se çka tutje.
Do kujtuar se edhe pse Ligji për Skemat Pensionale të Paguara nga Shteti ,Nr. 04/L-131, e thotë qartë në nenin 8, pika 6, Me këtë Ligj u njihet stazhi i punës për pension kontribut-dhënës për vitet 1989-1999 punëtorëve të arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës, një pjesë e madhe e të punësuarve në arsim po dalin në pension duke marrë shumën prej 75 euro e jo atë prej 140 euro sa është pensioni aktual në Kosovë.
SBASHK-u ka pranuar shumë ankesa dhe kudo gjatë vizitave nëpër komuna ka dëgjuar shumë shqetësime lidhur me këtë çështje.
Thuhet kudo se pikërisht këto vite që neni 8, pika 6, po i njeh si kontribut-dhënëse në të vërtetë nuk janë duke u pranuar si të tilla dhe mu për këtë të punësuarit në arsimin e Kosovës pas gjithë atyre viteve të punës po marrin ndihmë sociale sikur ata që kurrë nuk kanë qenë të punësuar diku. SBASHK-u në përpjekje për tu dalë në ndihmë anëtarëve të vetë lidhur me këtë çështje atë e ka ngritur edhe te Këshilltari i Presidentes,z. Ramush Tahiri, edhe në Komisionin Parlamentar për Punë dhe Mirëqenie Sociale , por edhe në MPMS.
Në të gjitha këto takime SBASHK-u ka marrë përgjigje se institucioneve u vije keq pse është kështu dhe se që të gjithë kanë shprehur respekt për punën e punëtorëve të arsimit në vitet 1989-1999. Mirëpo nuk është shkuar me tutje.