MPMS dhe Klina nënshkruan memorandum bashkëpunimi
Prishtinë, 17 shtator - Sot, në ambientet e MPMS-së, zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj dhe kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi që ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për ndërtimin e objektit të banimit për familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së në komunën e Klinës.
Duke pas parasysh gjendjen në të cilën ndodhen shumë familje të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për një jetë të dinjitetshme, ashtu siç edhe e meritojnë këto kategori, MPMS-ja dhe komuna e Klinës do të bashkëveprojnë për realizimin e këtij projekti, i cili parasheh që për vitin 2013 MPMS-ja të ndaj mjete në vlerë prej 70 mijë eurove, kurse për përfundimin e plotët këtij projekti, MPMS-ja do të ndaj mjete nga buxheti i vet edhe për tri vitet e ardhshme.
Sipas këtij memorandumi, komuna e Klinës obligohet që të siguroj infrastrukturën e nevojshme ligjore për ekzekutimin e projektit, të hartoj projektin e detajizuar sipas standardeve dhe konform legjislacionit të Republikës së Kosovës për ndërtim.
Gjithashtu komuna e Klinës do të shpall tenderin për ndërtim, do të kujdeset për përfundimin e tij dhe do të bëjë ndarjen e banesave për përfituesit pa pjesëmarrjen e MPMS.
Gjatë takimit z. Shurdhaj dhe Bashota kanë biseduar edhe për mundësinë e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë edhe për projekte tjera të përbashkëta, kurse u përmend fillimi i projekteve për pyjet ku nga komuna e Klinës do të përfitojnë 20 punëkërkues, të cilët do të punësohen për një periudhë dymujore.