MPB siguron BB-në se projektligji i pagave do të ruajë qëndrueshmërinë fiskale
Prishtinë, 21 nëntor - Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bardhyl Dobra, bashkë me ekipin e tij, priti në takim një delegacion nga Banka Botërore të kryesuar nga znj. Isolina Rossi, pjesë e programit për financimin e politikave zhvillimore (Development Policy Financing - DPF), ku u diskutuan reformat në administratë publike, në veçanti Projektligjin e pagave në sektorin publik dhe atë për zyrtarët publik.
Pasi i njoftoi për gjendjen aktuale në fushën e administratës publike, zëvendësministri Dobra, e njoftoi delegacionin në detaje për hapat e ndërmarrë dhe rezultatet e pritura pas miratimit të këtyre dy projektligjeve.
Bashkëbisedimi u fokusua tutje rreth ligjit të pagave dhe qëndrueshmërisë fiskale.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore u siguruan se përveç krijimit të një sistemi të njëtrajtshëm dhe transparent për pagat, projektligji do të ruajë qëndrueshmërinë fiskale.
Në fund Zëvendësministri Dobra falënderoi të pranishmit për vizitën dhe shprehi gatishmërinë që ky bashkëpunim të forcohet tutje.