MPB kurdis tenderin e ri për pasaporta
Prishtinë, 21 shkurt - Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është duke e kurdisur tenderin për pasaporta biometrike për tia dhënë kompanisë gjermane Giesecke& Devrient(G&D), e cila ka konkurruar në tender me një çmim prej 6 milionë e 631 mijë e 896 euro.
Kjo ministri vetëm formalisht e ka shpallur edhe këtë tender duke ia përshtatur specifikacionet e tenderit kësaj kompanie gjermane.
Gazeta Zëri ka siguruar dokumentacione të cilat dëshmojnë se specifikacionet e tenderit që kanë të bëjnë me kriteret e sigurisë i janë përshtatur tërësisht operatorit ekonomik nga Gjermania, e cila ka bashkëpunim me kompaninë austriake OeSD, që ishte përfshirë në një skandal korrupsioni prej 1.4 milionë me pasaporta biometrike.
Në ueb-faqen zyrtare të kësaj kompanie po ashtu thuhet se pesë muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (2008), MPB ia kishte dhënë tenderin kompanisë Giesecke & Devrient Security Group për prodhimin dhe furnizimin me 600 mijë pasaporta dhe 400 mijë patentë-shoferëve, në kohën kur ministër i Punëve të Brendshme ishte Zenun Pajaziti.
/zeri/