Mosvotimi i Speciales, mesazh i keq për investitorët
Albulena S. MAVAJ
Prishtinë, 3 gusht - Mosformimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës do të jetë masazh i keq për investitorët e huaj, pasi mund të asociojë në mosgatishmëri të pushtetit për ti luftuar krimin dhe korrupsionin.
Po ashtu, krijimi i Gjykatës Speciale mund ta sjellë funksionimin e shtetit ligjor që reflekton drejtpërsëdrejti në mënyrë pozitive tek investitorët dhe diplomacia ekonomike me shtetet e huaja.
Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale STRAS, Ibrahim Rexhepi, ka thënë për gazetën Epoka e re se Kosova nuk do të arrijë shumë në rrafshin ekonomik me formimin e Gjykatës Speciale meqë, sipas tij, kjo gjykatë nuk do të merret me krimin ekonomik, korrupsionin, zhvatjet, apo me mosrespektimin e kontratave. Gjatë punës së saj do të vërehet se si do të zhvillohet lufta ndaj atyre që janë pjesë e krimit dhe me cilin nivel. Me këtë mund të nisë funksionimi i shtetit ligjor, që mund të ketë efekte pozitive në ekonomi, veçanërisht në fushën e investimeve, ka thënë ai.
Sipas tij, për zhvillim ekonomik, për ta joshur kapitalin privat dhe për përmirësimin e imazhit përballë investitorëve, kërkohen reforma të thella në sistemin ekonomik dhe gjyqësor. Pra, nuk është e mjaftueshme vetëm themelimi i Gjykatës Speciale. Madje themelimi i saj nga dikush tjetër, e jo nga Kuvendi i Kosovës, përfundimisht do të dërgonte mesazhin se ky pushtet nuk është i gatshëm ta luftojë krimin në radhët e veta. Kjo do ti frikësojë investitorët e brendshëm dhe të jashtëm, është shprehur Ibrahim Rexhepi, drejtor i STRAS-it.
Qorrolli: Kosova duhet ta formojë Gjykatën Speciale
Ligjëruesi i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, Vigan Qorrolli, ka deklaruar se Kosovës patjetër i duhet të merret me Gjykatën Speciale. Kosova duhet ta formojë Gjykatën Speciale, në kuptimin më të rëndësishëm të legjitimitetit të saj ndërkombëtar, duke mos ia lejuar mospërkrahësve dhe jodashamirësve të shtetësisë së Kosovës që të merren me dëmtimin e mëtejmë të kësaj shtetësie dhe me qëllim që ky dëmtim të bëhet i pallogaritshëm dhe i papërfillshëm për Kosovën, edhe nga brenda edhe nga jashtë saj, atëherë do ti duhet patjetër të merrej dhe ta themelojë Gjykatën Speciale, e cila Kosovës nuk i ka ardhur befasisht, është shprehur ai.
Qorrolli ka thënë për gazetën Epoka e re se në aspektin e jashtëm nuk beson se do të ndikojë tek investitorët e huaj pasi, sipas tij, përfshirja e tyre lidhet me tregun e brendshëm të Kosovës, meqë Gjykata Speciale nuk hyn në atë që juristët e quajnë juridiksion i rregullt.
Gjykata Speciale do të ketë materie për të gjykuar krejt diçka tjetër që ska lidhje me fushën biznesore dhe tregtare, kështu që sdo të duhej të ketë impakt ndërkombëtar sa iu përket investimeve të huaja. Për sa i takon subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, gjykoj se do të ketë një impakt në kuptim të zbehjes së rëndësisë që ka shteti ynë në marrëdhëniet ndërkombëtare rreth njohjeve të reja, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe rritjen e ndikimit në aleancat e natyrshme gjeopolitike.
Ato shtete që nuk e njohin Kosovën, Gjykatën Speciale do ta përdorin si shfajësim, siç kanë bërë deri në vitin 2010 me opinionin këshillëdhënës të GJND-së. Pasi fitorja më e madhe juridike e Kosovës në aspekt ndërkombëtar në GJND nuk u kapitalizua denjësisht për ti rritur dhe fuqizuar këto tri argumentet e mia të lartcekura, atëherë pesimistët e shtetësisë së Kosovës do të vazhdojnë të thirren në brishtësinë e shtetit dhe në pritjen e rezultateve eventuale të Gjykatës Speciale çfarë do të pasojë me mosnjohjen e mëtejme të saj nga këto shtete, është shprehur Qorolli, duke shtuar se Gjykata Speciale në këtë aspekt do ta ketë pak a shumë të njëjtën matematikë.
Nëse brendet e huaja botërore ose korporatat e huaja spo hyjnë në Kosovë për shkak të pasigurisë ekonomike, e cila zhvatet nga një pjesë e politikës dhe biznesit vendor të lidhur me të, atëherë unë besoj se Gjykata Speciale do të duhej të ketë zero impakt në këtë fushë. Kosova duhet të mos zhgënjehet në gjyqësi sepse ne duhet ta forcojmë nga brenda sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Këto janë tri premisat kryesore të demokracisë, ka thënë Qorrolli.
Syla: Gjykata do ketë më tepër efekt te bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare
Kurse njohësi i çështjeve të biznesit, Lulzim Syla, ka deklaruar se gjykata do të ketë më tepër efekt te bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare sesa me bizneset ose investitorët. Kjo do të jetë garanci te partnerët tanë se kemi gatishmëri të merremi me krimet e kaluara dhe kjo bën që ato shtete pastaj të japin garanci tek investitorët e tyre që të vijnë në Kosovë për të investuar sepse mund ta gjejnë një vend ku sundojnë ligji dhe rendi, është shprehur Syla.
Sipas tij, investitorët seriozë gjithmonë marrin rekomandime edhe nga shteti i tyre se si është situata politike dhe ekonomike në atë vend ku dëshirojnë të investojnë. Problemi më i madh këtu është se ky proces do të zgjasë me vjet dhe ne duhet të punojmë në shumë drejtime për ta përmirësuar imazhin e vendit tonë. Një nga këto fusha është diplomacia ekonomike e që institucionet tona janë duke bërë pak punë në këtë drejtim, ka deklaruar Syla.