20 Nëntor 2024

Mospjesëmarrja e një ndërkombëtari në Bord hendikep për AKP

Prishtinë, 30 korrik - Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit, shqyrtoi Raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për vitin 2012.

Në takim ishin të  pranishëm edhe përfaqësuesit e AKP-së, përkatësisht, Shkëlzen Luka, drejtor menaxhues, Avni Jashari, drejtor i financave dhe Haxhi Arifi, anëtar Bordi, të  cilët njoftuan për punën e deritashme të këtij Agjencioni.

Ndonëse Raporti i punës Komisionit i kishte ardhur edhe në formë të shkruar, përfaqësuesit e këtij Agjencioni shpalosën objektivat dhe sfidat e AKP-së. Me këtë rast, ata njoftuan për privatizimin e deritashëm të ndërmarrjeve shoqërore, si dhe për ndërmarrjet që do t’i nënshtrohen procesit të privatizimit. 

Ata njoftuan edhe  për të hyrat e realizuara nga privatizimi. Lidhur me këtë, Shkëlzen Luka, drejtor menaxhues i AKP-së tha:” Në qershor të vitit të kaluar, Bordi i AKP-së mori vendimin që nga fondi i mirëbesimit, shuma prej 29 milion euro, të transferohen në buxhetin e Kosovës”.

Për sa i përket sfidave të këtij Agjencioni, Luka vuri në spikamë mungesën e disa anëtarëve të bordit të AKP-së, ndaj me theks të veçantë foli për nevojën e zgjedhjes së kryetarit të Bordit.

Ndonëse punën e deritashme të AKP-së Luka e vlerësoi si shumë pozitive, një performancë edhe më të mirë të Agjencionit tha se e ka penguar mospjesëmarrja e një  përfaqësuesi ndërkombëtar në Bord.

Mungesa e një anëtari ndërkombëtar në Bord, tha ai, ka bërë që të mos realizohet në tërësi shpërndarja e 20% -shit te një numër i madh i punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara.  Përfaqësuesit e AKP-së, në vijim folën edhe për kombinatin “Trepça”.

Lidhur me këtë ata sqaruan se për trajtimin e këtij kombinati, përkatësisht për strategjinë e rivitalizimit të tij, ata janë në pritje të rekomandimeve nga ana e Kuvendit dhe të  Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pas kësaj, anëtarët e komisionit shtuan pyetje të cilave iu përgjigjën përfaqësuesit e AKP-së. Në fund të debatit, kryesuesi e hodhi në votim Raportin e  AKP-së për vitin 2012, i cili u përkrah nga shumica e anëtarëve të komisionit.

Po ashtu, në këtë mbledhje,  komisioni miratoi edhe Raportin e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e 75% të aseteve të PTK-së, i cili do të procedohet për shqyrtim në mbledhje të rregullt të Kuvendit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)