Mos liberalizimi i vizave ngulfat bizneset e Kosovës
Prishtinë, 20 qershor - Oda Ekonomike e Kosovës ka thirrur për sot një konferencë për media me rastin e ankesave të shumta të adresuara nga komuniteti i biznesit vendor në veçanti sektori prodhues dhe ai i shërbimeve të cilët janë të izoluar në pamundësi të marrjes së vizave shengen për shtetet e Bashkimit Evropian.
Kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu ka thënë së si përfaqësues të bizneseve janë falënderues për kontributin e dhënë të Bashkimit Evropian në shtetndërtimin e Kosovës, por tani sipas tij është koha kur duhet zhvillimi ekonomik të jetë prioritet i gjithë neve.
"Në këtë drejtim problem i marrjes së vizave është shndërruar në sëmundje kancerogjene për ekonominë kosovare në veçanti për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me shtet si: Austria, Gjermania, Zvicra, Italia, Kroacia, Greqia etj", ka theksuar Gërxhaliu.
Prandaj, Oda Ekonomike e Kosovës apelon tek ambasadat e BE-së të akredituara në Kosovë të kenë një trajtim të posaçëm për komunitetin e biznesit sa i përket dhënies së vizave, meqenëse me problemin në rritje i krijuar në veçanti në dy vitet e fundit sa i takon aspektit të vizave as marrëveshjet më të rëndësishme ndërkombëtare nuk po kanë efektin e dëshiruar dhe të pritur.
"Nuk e meriton sektori privat dhe qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë të izoluar falë gabimeve të politikbërësve të vendit tonë."
"Andaj, për të diskutuar rreth kësaj dhe problemeve zingjirore të krijuara nga mosliberalizimi i vizave dhe casja jo favorizuese ndaj komunitetit të biznesit rreth pajisjes me vizë shengen, ju ftojmë të përcillni këtë ngjarje!", ka pohuar në fund Gërxhaliu.