Morina kërkon mbi 140 mijë euro dëmshpërblim nga ProCredit Bank
Prishtinë, 15 mars - Në fjalën përfundimtare, ish-punëtorja e ProCredit Bank-ës kërkon nga ish-punëdhënësi dëmshpërblim prej 100.000 euro për prishje të reputacionit, mbi 22 mijë për dhimbje shpirtërore, ti paguhen pagat që nga dita e largimit dhe të kthehet në vendin e saj të punës.
Albana Morina kërkon mbi 140 mijë euro dëmshpërblim nga ProCredit Bank, e cila ia kishte ndërprerë kontratën e punës sipas saj në mënyrë të kundërligjshme.
Në fjalën përfundimtare, Albana Morina, si paditëse, kërkoi nga gjykata të marrë një vendim të tillë kundër ish-punëdhënësit të saj, që në këtë rast është pala e paditur.
Morina kërkoi që të anulohen vendimet e bankës lidhur me largimin nga puna, që banka ta kthejë atë në vendin e punës, që banka ti paguajë kompensim financiar për të ardhurat e humbura nga qershori i vitit 2013 deri më 31 janar 2016 në shumën prej 22.557.30 .
Po ashtu, Albana Morina për prishje të reputacionit që i ka bërë banka kërkoi 100.000, ndërsa në emër të dhimbjeve shpirtërore kërkoi 20.000 euro të tjera.
Pala paditëse kërkoi që pala e paditur ti paguajë edhe shpenzimet procedurale.
Ndërsa, përfaqësuesi i ProCredit Bank-ës kërkoi që kërkesa e paditëses të refuzohet si e pabazuar.
Fillimisht, Merita Stublla-Emini, avokatja e paditëses, kërkoi nga gjykatësja që faktet që përfaqësuesi i ProCredit Bank-ës i ka sjellë në gjykatë këtë muaj ti hedhë poshtë meqë janë jashtë afatit. Ka ekzistuar një afat kur ato fakte është dashur të sillen para gjykatës. Prandaj, kërkoj të hidhen poshtë, tha mbrojtësja e Albana Morinës.
Vendimi i bordit të Bankës për riorganizim të punëtorëve ka qenë vetëm një shkas që më vonë ti ndërpritet marrëdhënia e punës Albana Morinës. Ai vendim nuk ka protokollim dhe nuk ka vulë zyrtare. Si i tillë nuk mund të konsiderohet provë për gjykatën, theksoi avokatja.
Po ashtu, avokatja tha se vendimi për suspendim të Albanës i është dorëzuar asaj më datë 3 shkurt 2012 në ora 08:30 dhe si arsyetim është marrë ankesa e një klienti. Kjo ankesë është pranuar në ora 14:00. Si mundet që njëherë të merret vendimi për suspendim e më vonë të vijë ankesa?, ka pyetur avokatja Merita Stublla-Emini.
Sa i përket arsyes tjetër për largimin e Morinës nga puna ishte edhe përformanca e dobët e saj. Sipas avokates kjo nuk mund të jetë e vërtetë, sepse asaj i është ngritur paga për përformancën e mirë që ka treguar në vendin e punës.
Ndërsa, përfaqësuesi i ProCredit Bank-ës, avokati Kujtim Kërrveshi tha se faktet e fundit që i ka parashtruar para gjykate kanë të bëjnë edhe me deklarimet që paditësja i ka paraqitur në seancën e fundit që është mbajtur dhe ai kërkoi që Gjykata ato ti marrë si prova.
Me gjithë vërejtjet e paditëses ato prova u administruan nga gjykatësja.
Vendimi për këtë çështje pritet të merret në ditët në vazhdim.
KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë çështje.
Seanca e sotme që nga fillimi është përcjellë me tensione ndërmjet palëve ndërgjyqësore.