Moodys vlerësimin Shqipërinë më nivelin B1
Tiranë, 13 gusht - Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit, Moodys, ka konfirmuar në nivelin B1 dhe me prespektivë stabël shkallën e besueshmërisë së borxhit të qeverisë shqiptare.
Sipas gjigandit botëror të financave, ky konfirmim reflekton dy faktorë pozitivë pa të cilët Shqipëria do të kishte një vlerësim më të ulët të borxhit publik. I pari, i cili është njëkohësisht dhe ai me ndikimin më të madh, lidhet me konsolidimin fiskal që ka ndërmarrë qeveria e majtë në bashkëpunim të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Sipas Moodys, këto masa sigurojnë një përgjigje fillestare domethënëse ndaj përkeqësimit të fortë të financave publike që u vu re në vitin 2013, veçanërisht në rënien e të ardhurave.
Ndërsa faktori i dytë, i cili ka ndikuar pozitivisht në besueshmërinë e borxhit të Shqipërisë është marrja e statusit kandidat në qershorin e kaluar.
Moodys thotë se pret efekte pozitive nga marrja e statusit, veçanërisht tek investimet e huaja. B1 mbetet ende një vlerësim në shkallën e poshtme të cilësisë së borxhit, i cili refleketon dobësitë e ekonomisë shqiptare dhe institucionet e dobëta.
Por çfarë do ta përmirësonte këtë vlerësim? Sipas agjencisë ndërkombëtare, progresi në reformat strukturore do të ushtronte presion poztiv për ngritjen e vlerësimit, veçanërisht tek ai i forcimit të institucioneve, suksesi në luftën ndaj korrupsionit dhe efiçenca e sistemit gjyqësor. Këto reforma sipas Moodys do të përmirësonin konkurruencën dhe klimën e biznesit.
Ndërsa nga ana tjetër faktorët që mund të çojnë në përkeqësimin e vlerësimit janë dështimi për të vënë nën kontroll borxhin dhe materializimi i detyrimeve të mëdha potenciale për qeverinë nga gjyqet e pronave dhe sektori i energjisë.
Vlerësimi për Shqipërinë është kryer në datën 7 gusht. Në seancë komiteti i vlerësimit ka arritur në përfundimin se fuqia institucionale e Shqipërisë është rritur, ndërsa ajo fiskale dhe financiare ka rënë.
Në fund, komiteti nënvizon se themelet e ekonomisë, duke përfshirë dhe fuqinë ekonomike të vendit, nuk kanë ndonjë ndryshim të rëndësishëm ashtu si dhe rreziku operacional. / Top Channel