Moodys rrit vlerësimin kreditor të Greqisë
Athinë, 30 nëntor - Agjencia e vlerësimit Moodys ka rritur shkallën e besueshmërisë së kredive të Greqisë, duke cituar përmirësimin e rezultateve të programit të përmirësimit ekonomik, në vendin e goditur nga kriza e gjatë ekonomike.
Agjencia njoftoi të premten përmirësimin prej 2 nivelesh, nga C te Caa3, ende shumë poshtë shkallës së investimeve, në një lëvizje që shihet si shtysë për qeverinë, e cila ka premtuar ti japë fund recesionit dëmtues dhe rikthimin në tregjet ndërkombëtare vitin e ardhshëm.
Lajmi u njoftua disa orë, pasi qeveria tha se bisedimet me kreditorët e jashtëm të shpëtimit kishin hasur pengesa, duke rikthyer negociatat për reforma mbi shkurtimet e shpenzimeve, për të paktën 1 javë.
Greqia është në rrugën e duhur për të balancuar buxhetin e tij, përpara pagesës së interesave këtë vit, duke arritur kështu një kërkesë thelbësore nga huadhënësit shpëtimtarë, të cilët mbajtën në këmbë shtetin, që pas humbjes së aksesit në tregjet ndërkombëtare, në vitin 2010.
Bazuar mbi të dhënat qeveriate të zbatimit të buxhetit deri në tetor, Moodys beson se synimi i qeverisë për defiçitin është më se i arritshëm, komentoi agjencia.
Një seri nënvlerësimesh nga agjencia shënuan fillimin e krizës financiare greke, që në fund çoi në programet prej 240 miliardë eurosh për shpëtimin e vendit nga falimenti, të siguruara nga vendet e tjera të eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ende nuk ka asnjë reagim të menjëhershëm të qeverisë greke mbi lajmin e së premtes.