Moodys: Rreziku i falimentimit të Greqisë vazhdon të jetë i lartë
Athinë, 28 shkurt - Rreziku për një dështim të Greqisë do të mbetet i lartë edhe pas marrëveshjes për ristrukturimin e borxhit të arritur javën e kaluar, theksoi agjencia e vlerësimit Moodys Investors Service në një studim të publikuar sot.
Njoftimi i 21 shkurtit për një mbështetje për Greqinë është një hap i rëndësishëm, por rreziku i falimentimit mbetet i lartë, edhe pas zbatimit të këtij këmbimi nën presionin e kreditorëve të vendit, theksoi analistja Sarah Carlson në një shënim të përjavshëm.
Ngarkesa e borxhit grek do të mbetet e rëndë për disa vite dhe vendi nuk do të jetë në gjendje të hyjë në tregun privat pas përfundimit të planit të dytë të asistencës, nënvizoi Moodys.
Rezultati i zgjedhjeve, që pritet të zhvillohen në muajin prill, përbën gjithashtu një rrezik politik dhe një rrezik për zbatimin e masave, nënvizoi agjencia duke shtuar se do ta zhvillojë analizën e saj lidhur me këtë çështje në ditët e ardhshme.
Zona euro vendosi javën e kaluar akordimin e një plani të ri shpëtimi që arrinte vlerën e 237 miliardë eurove për Greqinë me shpresën që ta shmangte daljen e saj nga bashkimi monetar, por pa larguar të gjitha shqetësimet për të ardhmen e vendit.