Moody's mban të pandryshuar notën kreditore të Turqisë
Ankara, 23 nëntor - Agjencia e klasifikimit të kredive Moody's nuk e ndryshoi notën kreditore të Turqisë pavarësisht pritshmërisë, që ishte krijuar në këtë drejtim.
Pas rritjes së notës së kredisë të Turqisë nga "Fitch Rating" në nivelin "vend që mund të investohet", e gjithë vëmendja ishte kthyer nga konferenca e Moody's në Stamboll, por kjo agjenci nuk e bëri hapin e shumëpritur.
Moody's e la të pandryshuar notën kreditore të Turqisë. Nota e kredisë së Turqisë mbeti Ba1, ndërsa perspektiva në nivelin pozitiv.
Agjencia me seli në New York paralajmëroi se presionin kryesor mbi notën e kredisë turke e ushtron deficiti në llogaritë rrjedhëse.
Pas shpalljes së notës, vlerësimet e Moody's vijuan në Konferencën e 6-të Vjetore për Riskun e Kredive të Turqisë, në Stamboll.
"Turqia ka regjistruar zhvillime tepër pozitive në financimin publik. Bilanci në Turqi është shumë herë më i qëndrueshëm se sa në të kaluarën ndaj lëkundjeve të brendshme dhe veçanërisht të jashtme. Barra e borxheve të Turqisë po reduktohet ndjeshëm", thuhet në deklaratën e Moody's.
Me lëvdata u fol edhe për hapat e Bankës Qendrore turke kundër krizës globale.
Kryeanalistja e kësaj agjencie, Sarah Karlson, u shpreh se Turqia zë një vend tepër special në vendimet e tyre të klasifikimit për disa vitet e fundit në Evropë.
"Po të më thoshit 10 vjet më parë se do të përballemi me një krizë globale, por Turqia do ta kapërcejë atë me mjaft lehtësi, unë nuk do t'ju besoja", tha Karlson dhe tërhoqi vëmendjen mbi rreziqet politike.