Moodys: Gjendja e financave publike të Shqipërisë është përkeqësuar
Tiranë, 20 nëntor - Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Moodys konstaton se gjendja e financave publike të Shqipërisë është përkeqësuar, duke vënë në rrezik vlerësimin e borxhit publik.
Në një raport të publikuar një ditë më parë, Moodys paralajmëron se vlerësimi i borxhit të qeverisë shqiptare tashmë është i kushtëzuar nga sfidat e mëdha fiskale të vendit, borxhi publik në rritje dhe ngadalësimi i fortë i ekonomisë që pritet të vazhdojë edhe gjatë viteve në vijim.
\'Moodys\' vëren se sfidat e borxhit të Shqipërisë pasqyrohen më së pari në përkeqësimin e ndjeshëm të financave të qeverisë gjatë vitit të kaluar, që ka çuar në një borxh publik më të lartë se sa vendet e tjera, që kanë të njëjtin vlerësim si Shqipëria me gradën B1, e cila nënkupton nivel të ulët besueshmërie.
Sipas raportit të Moody\'s, sfidat e borxhit publik të Shqipërisë rëndohen edhe më shumë nga struktura e brishtë e financimit, për shkak të afatit të shkurtër të maturimit, bazës së ngushtë të atyre që investojnë në bono të Qeverisë, por edhe ekspozimi i lartë i sistemit bankar dhe vetë qeverisë ndaj valutave të huaja. Ndër pikat e forta, Moodys vlerëson rezistencën e ekonomisë shqiptare ndaj krizës botërore të borxheve për shkak të stimulit monetar dhe fiskal.
Sipas agjencisë së vlerësimit Moodys ka edhe faktorë lehtësues, si përshembull politikat monetare të kujdesshme të Bankës së Shqipërisë dhe stabiliteti i lartë i çmimeve, që janë reflektuar në një qendrueshmëri të kursit të këmbimit gjatë viteve të fundit.
Po kështu, Agjencia thotë se vendi mund të përfitojë nga marrja e mundshme e statusit kandidat në dhjetor dhe ndërtimi i gazsjellësit TAP. Aktualisht Moodys e vlerëson borxhin e Qeverisë shqiptare me B1. Sipas saj, ky vlerësim balancon pritshmëritë për statusin e vendit kandidat në BE me borxhin e lartë publik dhe dobësitë në tregun e brendshëm financiar.
Ky vlerësim, sipas Moody\'s, është i rrezikuar nëse Qeveria në periudhë afatshkurtër do të dështojë për të ndalur përkeqësimin e treguesve fiskalë.
Në raport vlerësohen përmirësimet ligjore të realizuara kohët e fundit në proçesin e ekzekutimit të kolateralit që po ulin nivelin e kredive me probleme.
Sipas agjencisë së vlerësimit të kreditit, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar ndjeshëm dhe parashikohet që rritja të jetë e \"ndrydhur\" edhe në vitet në vijim.
Moodys e mbyll raportin e saj për Shqipërinë duke theksuar se, qeveria e re ka filluar të adresojë problemet strukturore të ekonomisë, por duhet progres përpara se agjencia të konsiderojë një përmirësim në renditjen e borxhit të Shqipërisë.