Moody's: Ekonomia shqiptare vlerësohet me B1
Tiranë, 29 nëntor - Ekonomia shqiptare vazhdon t'i rezistojë krizës së Eurozonës, ndërsa është një ekonomi e qëndrueshme. Agjencia e vlerësimit të kreditit Moody's vlerëson se opinioni për Shqipërinë mbetet i pandryshuar, pra Shqipëria ka vlerësimin B1.
Sipas raportit dy janë faktorët që kanë ndikuar në këtë qëndrueshmëri, elasticiteti i ekonomisë së Shqipërisë gjatë krizave financiare të krizës së borxhit në Eurozonë si dhe një përmirësim në kapacitetin e tij institucional, i nxitur kryesisht nga progresi në procesin e pranimit në BE.
Raporti thekson se kufizimet e kreditit që vijnë nga nivelet e larta të borxhit në raport me vendet e tjera sjell pasiguri në lidhje me strategjinë afat-mesme të vendit për konsolidimin fiskal dhe uljen e borxhit, pjesë e kësaj pasigurie buron nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2013.
Agjencia Moody's thekson gjithashtu se rritja është zvogëluar shumë kohët e fundit dhe do të mbetet e ndrydhur, ndërsa mungon stimuli fiskal i qeverisë. Moody's pret që progresi në procesin e anëtarësimit në BE të vazhdojë me përmirësime në kapacitetin institucional të vendit. Vlerësimi i fuqisë institucionale të Shqipërisë mbetet i ulët duke reflektuar kryesisht në vend, dhe mbi të gjitha në aspektin e sundimit të ligjit.
Edhe pse qeveria po merret me adresimin e problemeve strukturore të ekonomisë, më shumë progres kërkohet nga agjencia e vlerësimit të kreditit. Moody's konsideron si emergjente përmirësimet në ndërtimin e institucioneve, duke përfshirë efikasitetin në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, si dhe një plan për mbajtjen e borxhit nën kontroll.