MMPH ndihmon familjet në Veri
Prishtinë, 14 qershor - Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është zotuar se do të ndihmojë banorët e Kosovës në veri të Mitrovicës me dy projekte gjatë këtij viti.
Në marrëveshje me Komunën e Mitrovicës, Ministria e Mjedisit do të financojë projektin e Mdërtimit të kanalizimit dhe ujësjellësit dhe projektin Një familje, një fidan, që të dyja në Lagjen e Doktorëve në veri të Mitrovicës.
Projekti i ndërtimit të kanalizimit dhe ujësjellësit në veri të vendit ka për qëllim përmirësimin e gjendjes mjedisore në Komunën e Mitrovicës.
Pas rindërtimit të shtëpive të banorëve dhe kthimit të familjeve të zhvendosura që nga viti 1999 nga kjo lagje, me përfundimin e këtyre projekteve, Ministria e Mjedisit synon të krijojë kushte më të mira të jetesës për banorët në veri të qytetit.
Projekti tjetër që do të financohet nga Ministria e Mjedisit, Një familje, një fidan projekt ky i vetëkuptueshëm, simbolizon një prej shtyllave prioritare të Ministrisë së Mjedisit, mbrojtjen e mjedisit. Kolektivisht, këto dy projekte arrijnë vlerën deri në 90.000 euro dhe do të realizohen gjatë këtij viti.