Mitrovicë, Përurohet objektit i Qendrës së Regjistrimit Civil
Prishtinë, 9 dhjetor - Në Mitrovicë u bë sot përurimi i objektit të Qendrës Komunale të Regjistrimit Civil.
Përurimin e kësaj Qendre e bëri ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi i shoqëruar nga kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati.
Në këtë ceremoni inauguruese ministri Rexhepi tha se ky objekt i plotëson të gjitha kushtet për qytetarët e Mitrovicës për pajisjen e tyre me dokumentet civile.
Sot kishim kënaqësinë që të bëjmë inaugurimin e Qendrës Komunale të Regjistrimit Civil në Mitrovicë. Është objekt, i cili i plotëson të gjitha kushtet ku qytetarët mund të kenë qasje shumë më të lirë për të hyrë, për të aplikuar dhe për të marrë dokumentacionet. Po ashtu edhe kushtet për personel janë shumë të mira dhe unë shpresoj se edhe qytetarët do të jenë shumë të kënaqur me shërbimet që do ti bëjë stafi i MPB-së, tha ministri Rexhepi.
Ndërsa kryetari i Mitrovicës, z. Avni Kastrati tha se objekti i ri i QKRC-së në këtë komunë do të jetë një prej qendrave shembullore për Kosovë.
Është bërë një punë shumë e mirë si për qytetarët ashtu edhe për të gjithë të tjerët që punojnë. Do të jetë një prej qendrave shembullore për Kosovë, tha z. Kastrati.
Projekti i ndërtimit të QKRC-së në Mitrovicë ka kushtuar rreth 267 mijë euro, prej tyre 201 mijë euro janë financim i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe 75 mijë euro janë dhënë nga Komuna e Mitrovicës.