02 Maj 2024

Mitrovicë, nisin projekte në vlerë prej 50 milionë euro

Mitrovicë, 19 shkurt  - Lajmin më të mirë për qytetarët e Mitrovicës  me rastin e 4-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës e ka dhënë kreu i komunës, Avni Kastrati.

Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij viti në Mitrovicë do të fillojnë të realizohen projekte të ndryshme, vlera e të cilave arrin rreth 50 milionë euro.

Kryetari Kastrati e ka quajtur si një vit të fillimit të madh për Mitrovicën, duke pasur parasysh pikërisht projektet e shumta kapitale që do të fillojnë këtë vit.

“Pas angazhimeve të shumta të të gjitha strukturave komunale, me ndihmën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komisionit Evropian dhe donatorëve të ndryshëm, jemi bërë gati që vitin 2012 ta shndërrojmë në vit të investimeve të mëdha”.

Ndër projektet më të rëndësishme që përmend kryetari Kastrati, është ndërtimi i Qendrës multifunksionale, mandej rinovimi i palestrës së sportit dhe ndërtimi i qendrës afariste.

“Janë këto projekte që do ta ndryshojnë Mitrovicën dhe që do të gjenerojnë zhvillim ekonomik”.

Ai numëron mandej projektin për shëtitoren e qytetit, projektin për rritjen e kapacitetit të fabrikës së ujit, ku tashmë ka nisur puna. Një projekt tepër të rëndësishëm dhe unikat e vlerëson projektin për  liqenin e qytetit dhe zonës rekreativo-sportive.

Kryetari Kastrati, paralajmëron se po këtë vit do të nis edhe ndërtimi i Parkut botanik, gjithashtu një projekt unikat në Kosovë.

“Gjatë këtij viti do të nis ndërtimi i objekteve shkollore në Bair, Kodër të Minatorëve dhe Brabaniq. Gjithashtu do të ndërtohet edhe objekti për shkollën e muzikës dhe shkollën speciale”.

Një tjetër projekt që gjithashtu pritet të filloj sivjet, sipas kryetarit Kastrati, është ai për fabrikën e prodhimit të ushqimit bio (pula dhe ve). Sqaron se në këtë projekt do të angazhohen persona me aftësi të kufizuara.

Duke potencuar rëndësinë e madhe të këtyre projekteve për të ardhmen e qytetarëve të Mitrovicës, kryetari Kastrati ju uron  4-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe shpreh respektin e tij më të sinqertë për qytetarët e Mitrovicës dhe të Kosovës në përgjithësi.

“Pas kësaj periudhe ashtu si në gjithë vendin edhe në Komunën e Mitrovicës vërehen ndryshime të mëdha. Të gjithë ne jemi dëshmitarë të realizimit të shumë projekteve që kanë përmirësuar jetën e qytetarit mitrovicas. Megjithatë sfidat në komunën tonë janë të mëdha për shkak të rrethanave specifike”.

Thekson se të gjithë bashkërisht duhet të vazhdojmë me përkushtim punën për forcimin e shtetit tonë. “Ky është amanet i dëshmorëve. Më shumë se kurrë na  duhet që të jemi bashkë, ashtu siç ishim para dhe pas luftës. Bashkërisht i kaluam momentet me të rënda dhe bashkërisht i festuam fitoret me të mëdha. Ne të gjithë kemi nevojë për Kosovën e zhvilluar, ndërsa Kosova ka nevojë për kontributin e secilit prej nesh”. 

Ai përkujton se në këtë kohë po bëhen rreth dy vite prej fillimit të mandatit të tij si kryetar i Komunës së Mitrovicës dhe më këtë rast falënderon qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme.

“Jemi të vetëdijshëm se nevojat e qytetarëve mitrovicas janë të mëdha, por vullneti ynë dhe përkrahja juaj është garanci për suksesin tonë të përbashkët”.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)