17 Maj 2024

Mitrovicë, modernizohet zona skaj lumit Lushtë

Prishtinë, 14 dhjetor - Me një investim të përbashkët të UN-Habitatit dhe Komunës së Mitrovicës ka ndryshuar rrënjësisht zona përreth lumit Lushtë, duke marrë një pamje moderne.

 

Ajo është një prej zonave më të populluara ku ka pasur probleme të mëdha me mbeturina dhe me mungesë të hapësirave të gjelbëruara.

Zyrtarët komunalë dhe ata të UN-Habitatit vlerësojnë se është bërë një punë shumë e mirë dhe e rëndësishme për qytetarët e kësaj pjese të Mitrovicës.

Për të përgëzuar qytetarët për këtë investim, të mërkurën kanë qëndruar në atë lagje edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe kryesuesja e Zyrës së UN-HABITAT-it në Kosovë, Kristina Galecia, të cilët edhe kanë përuruar projektin që njihet si “Korridori i gjelbër i lumit Lushtë”.

Kryetari Kastrati, falënderoi përfaqësuesit e UN-Habitatit për mbështetjen e këtij projekti, që ka krijuar kushte shumë të mira për atë pjesë të qytetit.

“Jemi shumë mirënjohës për UN-Habitatin për përkrahjen e vazhdueshme që ka ofruar për qytetarët tanë nëpërmjet projekteve të ndryshme të infrastrukturës”. Gjithashtu ai vlerësoi edhe bashkëpunim shumë të mirë ndërmjet Komunës dhe UN-Habitatit.

Ndërsa, kryesuesja e Zyrës së UN-HABITAT-it në Kosovë, Kristina Galecia,, ka shprehur kënaqësinë pas përfundimit të këtij projekti. Ajo premtoi vazhdimin e bashkëpunimit me Komunën e Mitrovicës edhe në të ardhmen. “Qëllimi i përgjithshëm i projektit ka të bëjë me përmirësimin e mjedisit dhe funksionalitetin e shtegut përgjatë lumit Lushtë dhe lidhjeve të tij me rrjetin e rrugëve urbane”.

 Lidhur me projektin, drejtori për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli, tha se është financuar bashkërisht nga Komuna edhe UN-Habitati. “Ky projekt ka kushtuar 132 mijë euro, prej të cilave 60 mijë i ka siguruar UN-Habitati”, tha ai, duke sqaruar se punët i ka kryer kompania “Kalaja”.

Ai sqaroi se në kuadër të projektit të realizuar është rregulluar një rrethrrotullim në udhëkryqin që në Mitrovicë njihet si “Te Mokra Gora”, ku ka pasur shumë ngarkesë në trafik. “Pas një punë të gjatë dhe analizave që janë bërë, ishte marrë vendim që ai udhëkryq të shndërrohet në rrethrrotullim, pasi që kjo zgjidhje është parë si më efektive sa i përket trafikut”.

Përveç rrethrrotullimit, që është një nga pjesët e këtij projekti, drejtori Veseli, tha se është rregulluar edhe shtrati i lumit Lushta. “Shtrati i lumit është rregulluar në tërësi, duke filluar në pjesën mbi ish-stadiumin e Bairit dhe deri në vendin ku lumi hyn nën urë, tek “Mokra Gora”. Tha se mbi lum janë ndërtuar edhe disa ura me një dizajn shumë të bukur.

Poashtu në kuadër të këtij projekti është bërë edhe një zonë e gjelbëruar pranë lumit, mandej shëtitore dhe një amfiteatër i hapur. “Derisa është përgatitur projekti final, janë mbajtur shumë takime me qytetarë të asaj pjesë të qytetit, të cilët i kanë dhënë edhe sugjerimet e tyre. Bashkërisht është vendosur për të gjitha detajet që kanë të bëjnë me këtë projekt”.       
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)