Mitrovica shënon rritje në të hyrat vetjake në muajin janar
Mitrovicë, 23 shkurt - Në mbledhjen e sotme të Bordit të Drejtorëve, drejtuar nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, me pjesëmarrjen edhe të nënkryetarit, Safet Kamberi dhe nënkryetarit për komunitete, Eroll Zekerija, janë shqyrtuar disa pika të rendit të ditës, ndërkohë që me theks të veçantë është diskutuar për inkasimin e të hyrave vetjake.
Drejtori i Drejtorisë së Financave, Nysret Maxhera, duke krahasuar të hyrat vetjake të muajit janar të këtij viti me ato të janarit të 2014, tha se ka rritje për 11.000 euro. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme.
Ai ka kërkuar nga të gjitha drejtoritë, që të punojnë në inkasimin e të hyrave vetjake dhe në anën tjetër të kursejnë shpenzimet.
Edhe nënkryetari, Kamberi, tha se duhet të kemi në fokus të hyrat vetjake dhe duhet të nxjerrim një plan mbi kursimin 2015, të cilat duhet të jenë në maksimum.
Në Drejtorinë e Urbanizmit kemi trashëguar shumë borxhe nga kompanitë të cilat nuk i kanë kryer obligimet ndaj komunës, kështu që është mirë të bëhen përpjekje për inkasimin e atyre borxheve tha Kamberi.
Drejtori i Inspekcionit, Naim Hajra, duke u bazuar në gjobat e parealizuara, të shqiptuara nga inspekcioni, dhe në përgjigjen e dhënë nga gjykata se tashmë, ata nuk merren me këto punë, përderisa ka kompani përmbaruese, ka kërkuar angazhimin e një kompanie përmbaruese për kryerjen e kësaj pune, konform normave ligjore në kuadër të ofrimit të shërbimeve, përmes së cilave do të vjelin të hyra vetanake.
Drejtori i ambientit, Enver Uka, ka folur për një hulumtim për analizat e tokës bujqësore.
Drejtoresha e Arsimit, Ajmane Barani, tha se në takimin që ka pas në Tiranë me organizatën Save dhe Children, këta të fundit janë shprehur të kënaqur me punën e Çerdhes së fëmijëve dhe me ta është biseduar edhe për mundësinë e ndërtimit të një çerdhe të re ose zgjerimi i objektit ekzistues.