Mitrovica me shtëpi moderne për të moshuarit
Mitrovicë, 19 shkurt - Organizata Shtëpia e Mirë e bashkatdhetarëve nga Zvicra në mbështetje edhe nga qyteti i Cyrihut, do të investoj në funksionalizimin e shtëpisë së të moshuarve në Mitrovicë.
Kështu ka deklaruar Bahri Rexha nga kjo organizatë, gjatë një takimit që zhvilloi të mërkurën me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Rexha tha se duke e parë gjendjen e tanishme të moshuarve në Komunën e Mitrovicës, ka ardhur deri tek ky projekt, që si qëllim ka vendosjen e të moshuarve në këtë shtëpi, jo vetëm të atyre që jetojnë në Mitrovicë por edhe atyre që janë të shpërndarë në qytete të tjera të Kosovës.
Ne kemi ardhur në përfundim se duhet të aktivizohet shtëpia e pleqve në Mitrovicë, që aty t`i vendosim të moshuarit, por jo vetëm ata nga Mitrovicë, po edhe ata që jetojnë në qytete të tjera, ka thënë Rexha.
Në këtë takim, po ashtu përfaqësues i organizatës Shtëpia e Mirë pohoi se stafi që do të punësohet në këtë shtëpi do të trajnohen nga personeli zviceran për përkujdesje ndaj të moshuarve.
Sipas tij, Shtëpia e Mirë dhe qyteti i Cyrihut do të jenë donator kryesor të këtij projekti.
Organizatë Shtëpia e Mirë dhe qyteti i Cyrihut do të jenë donator kryesor, por ne kërkojmë nga Komuna e Mitrovicës për dhënie të objektit në shfrytëzim. Gjithashtu ne kemi mbështetje edhe nga donatorë të tjerë, ka theksuar Rexha.
Në anën tjetër, kryetari Agim Bahtiri ka dhënë mbështetjen e plotë për këtë nismë. Sigurisht se ne e përkrahim çdo iniciativë të tillë. Ndërtimi apo funksionalizimi i shtëpisë për të moshuarit do të thotë shumë për qytetin tone. Ne si komunë, do të bëjmë krejt çka është e mundur që ky projekt të realizohet, ka thënë Bahtiri.
Ndryshe, kjo shtëpi po mendohet të ndërtohet në një nga hapësirat publike apo do shikohet edhe mundësin që kjo shtëpi të risistemohet në një nga objektet publike që ndodhen në Mitrovicë.
Fillimisht në këtë shtëpi mendohen të vendosen rreth 20 të moshuar që janë pa-strehim, por që ky kapacitet edhe mund të rritet në të ardhmen.