Mitrovica më e goditura në aspektin e të zhvendosurve
Mitrovicë, 4 mars - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur të enjten në takim zëvendësdrejtorin e Byrosë së UNHCR-së për Evropë, Guillermo Bettochi si dhe shefin e UNHCR-së për Mitrovicë, Giuseppe Di Carlo me bashkëpunëtorë, me të cilët ka biseduar për procesin e kthimit të të zhvendosurve në këtë komunë.
Zyrtarët e UNHCR-së janë interesuar të dinë për problemet që kanë të bëjnë me procesin e kthimit të të zhvendosurve. Ata fillimisht janë fokusuar në çështjen e kthimit të romëve, të cilët janë duke jetuar në kushte të rënda në veri, mandej në shtete të tjera etj.
Zëvendësdrejtori i Byrosë së UNHCR-së për Evropë, Guillermo Bettochi, ka thënë se Mitrovica është më e goditura në aspektin e të zhvendosurve si pasojë e luftës së fundit. Ende ka të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të cilët jetojnë në kushte të rënda.
Bettochi ka theksuar se është shumë e rëndësishme që edhe kthimi që bëhet të jetë i qëndrueshëm. Në këtë aspekt, ai ka potencuar se ata duhet të integrohen në shoqëri, duke pasur parasysh edhe krijimin e mundësive për shkollim, shërbime shëndetësore etj.
Në anën tjetër, kryetari i komunës, Avni Kastrari, pasi ka falënderuar zyrtarët e UNHCR-së për interesimin dhe për ndihmën për procesin e kthimit, ka folur në mënyrë specifike për romët, shqiptarët dhe serbët që janë të zhvendosur dhe për problemet e tyre.
Në këtë drejtim, ai ka thënë se komuna ka ofruar mbështetje të madhe për romët që janë duke u kthyer në lagjen e tyre të rindërtuar në jug të qytetit. Projekti që është duke u realizuar për kthimin e romëve, ku tashmë disa vite ka filluar kthimit i tyre gradual, do ta bëj atë lagje një ndër vendet me kushtet më të mira për jetë për këtë komunitet në gjithë rajonin.
Ndërsa ka thënë se më problem është kthimi i shqiptarëve të zhvendosur nga veriu. Kryetari Kastrati ka theksuar se strukturat paralele serbe janë duke tentuar që më çdo kushte të krijojnë një ambient të pasigurt, andaj kjo drejtpërdrejt reflektohet në procesin e kthimit.
Ai ka përmendur mungesën e qarkullimit të lirë për shqiptarët në veri, si pasojë e gjendjes së brishtë që mbretëron atje, që krijon probleme të mëdha për kthimin e të zhvendosurve. Shqiptarët janë të gatshëm të kthehen, por nuk po kanë mundësi.
Në anën tjetër, kryetari Kastrari, ka thënë se çështja qëndron ndryshe me serbët e zhvendosur nga jugu. Në këtë kontekst, ai ka cekur se në fshatin Frashër janë rindërtuar rreth 140 shtëpi, mandej janë mobiluar etj, por serbët nuk janë kthyer. Atje ka siguri të mjaftueshme, ka stacion policor, ambulancë, shkollë etj, mirëpo ata vazhdojnë të jenë të manipuluar nga Beogradi dhe nuk pranojnë të kthehen, me qëllim që të sabotojnë shtetin dhe institucionet kosovare.
Kryetari Kastrati, ka kërkuar nga zyrtarët e UNHCR-së që të angazhohen për të tejkaluar këto probleme dhe serbëve tu bëhet me dije se i kanë të gjitha të drejtat dhe përkrahjen, të cilat ata duhet ti shfrytëzojnë. Në këtë rast ai ka thënë se duhet të ndërpritet edhe logjika e diskriminimit pozitiv, meqë është duke shkaktuar probleme në integrimin e tyre.