02 Maj 2024

Mitrovica dhe Vushtrria bashkëpunojnë në të mirë të qytetarëve

Mitrovicë, 27 shkurt - Komuna e Mitrovicës dhe ajo e Vushtrrisë do të bashkëpunojnë për projekte të ndryshme, në radhë të parë të infrastrukturës në të mirë të qytetarëve.

Për këtë u dakorduan kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe ai i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, gjatë një vizite që të hënën realizoi në Vushtrri një delegacion i Komunës së Mitrovicës.  

Kryetari Mulaku, shprehu kënaqësinë për vizitën e homologut të tij nga Mitrovica, Avni Kastrati, i cili shoqërohej edhe nga drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Rasim Veseli dhe ai për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari.

“Është  në radhë të parë në interes të qytetarëve rritja e bashkëpunimit ndërmjet komunave tona, meqë lehtëson realizimin e projekteve të përbashkëta”.

Në këtë drejtim, kryetari Mulaku, përmendi konkretisht projektin për asfaltimin e rrugës Pasomë-Rashan, që lidh dy fshatra të komunave përkatëse. “Ne kemi përgatitur projektin dhe e kemi dorëzuar në Ministrinë për Infrastrukturë, prej nga presim përgjigje”.

Në anën tjetër, kryetari Kastrati, theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi të vazhdueshëm ndërmjet komunave.

“Ne duhet të shkëmbejmë përvojat tona të mira në interes të qytetarëve të dy komunave. Gjithashtu ne mund të mësojmë prej organizmit të suksesshëm të njërës apo palës tjetër”.

Në këtë takim, kryetari Kastrati, ka shtruar edhe planin e Komunës së Mitrovicës për vitin 2013 kur planifikohet përfundimi i rindërtimit të shtëpive të djegura gjatë luftës.

“Jemi duke punuar që të detalizojmë një plan veprimi për vitin e ardhshëm sa i përket rindërtimit në veri dhe për këtë do të krijojmë mundësi që të na mbështesin edhe komunat tjera”.

Duke sqaruar më tepër, ai tha se deri me tani janë më shumë se 130 shtëpi që janë rindërtuar apo që janë në proces të rindërtimit, përderisa ende ka shumë nevojë që procesi të vazhdoj.

“Kemi pasur mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës vazhdimisht dhe kemi garanci për mbështetje edhe në të ardhmen, mirëpo nevoja është e madhe dhe për këtë mund të bëhen pjesë dhe të ndihmojnë edhe komunat veç e veç”.

Kryetari Kastrati, tha se kjo do të shndërronte rindërtimin në veri në një projekt kombëtar. “Do t’ua japim mundësinë të gjithëve që të bëhen pjesë e këtij projekti të rëndësishëm”.

Këtë plan të kryetarit Kastrati, në parim e ka mbështetur menjëherë kryetari Mulaku. Ai tha se e mbështet fuqimisht një projekt të tillë, përderisa për hapat konkretë duhet të kalohet nëpër procedura të zakonshme nëpër mekanizmat e Kuvendit të Komunës.


 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)