Misioni i ri i Kosovës është, hapja e vendeve të reja të punës
Prishtinë, 26 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Financave, Besim Beqaj, të mërkurën ka vizituar Doganat e Kosovës, ku është pritur nga Drejtori i Doganave, Lulzim Rafuna me bashkëpunëtorë. Në këtë vizitë kryeministri Thaçi u njoh nga afër me punën dhe funksionimin e këtij institucioni të rëndësishëm shtetëror.
Kryeministrit Thaçi oficerët e lartë doganorë i prezantuan projektin për fillimin e centralizimit dhe unifikimit të procedurave të vlerësimit të mallrave gjatë secilit import, procedurë kjo e filluar në vitin 2014, e cila ka rezultuar me rritjen e të hyrave për 12% më shumë se viti i kaluar. Ky është një projekt në kuadër të reformës në administratën e doganave dhe efikasitetit të tyre.
Kryeministri Hashim Thaçi, ka deklaruar se misioni i ri me të cilin përballet Kosova sot, është ai i hapjes së vendeve të reja të punës, gjithashtu edhe i nxitjes së rritjes ekonomike.
Dogana ka luajtur dhe do të luajnë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në implementimin e këtij misioni, ka theksuar ai. Sipas tij nëpërmjet arritjeve, rezultateve konkrete dhe më efektive që është duke shënuar Dogana e Kosovës, në veçanti në luftë kundër informalitetit, kontrabandës dhe korrupsionit, ju keni ndihmuar bizneset dinjitoze të Kosovës nga konkurrenca e pandershme. Në këtë mënyrë, ju jeni duke i ndihmuar këto biznese që ato të zgjerohen, të konsolidohen dhe të hapin vende të reja të punës për të rinjtë kosovarë, ka pohuar ai.
Sipas tij për çdo investitor të huaj, por edhe prodhuesit tanë vendor, që eksportojnë mallra në vendet e Bashkimit Evropian, dogana paraqet administratën e parë me të cilën ata përballen. Prandaj, përmirësimi që keni bërë me punën tuaj i ka dhënë impakt të madh tërheqjes së investitorëve të huaj për të ardhur në Kosovë. Ardhja e tyre në Kosovë, do të përkthehet në rritje edhe më të madhe ekonomike, në rritjen e ndjeshme të punësimit për të rinjtë kosovarë, për shtetin tonë, për zhvillimin ekonomik, është më e rëndësishme të vazhdojmë të kemi një administratë doganore të zhvilluar sipas standardeve evropiane, ka pohuar ai.
Thaçi ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës i ka sjellë të gjitha ligjet në përputhje me legjislacionin evropian, prandaj edhe implementimi i këtyre ligjeve do të jetë në përputhje me praktikat evropiane. Në këtë mënyrë do të vijnë më lehtë edhe investitorët evropianë tek ne, dhe ekonomia do të integrohet më shumë në tregun evropian, ka pohuar ai. Sipas tij të ardhurat e vitit 2013 kanë qenë 60 për qind më të larta se ato të vitit 2007/2008, ë administratë doganore e zhvilluar sipas standardeve evropiane është pasqyrë e shtetit tonë.
Qeveria e Kosovës do të përkrahë fuqishëm Doganën e Kosovës, gjithçka çka nevojitet, shteti do të jetë në mbështetje të tyre, dhe jam shumë mirënjohës për punën e shkëlqyer që po bëjnë të gjithë doganierët e Republikës së Kosovës, ka theksuar ai.
Nga ana e tij, drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, falënderoi kryeministrin Thaçi për vizitën. Mbështetja e kryeministrit të Qeverisës së Republikës së Kosovës për neve është motiv që të vazhdojmë me punën tonë theksoi z. Rafuna pas takimit me kryeministrin Thaçi.
Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, në shenjë mirënjohje për mbështetjen e dhënë për Doganat e Kosovës, i dhuroi kryeministrit Thaçi logon e Doganës së Kosovës të gravuar, e cila është aprovuar në vitin 2008 nga kryeministri Thaçi, që ishte një ndër vendimet e para të marra nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi.