Miratohet rregullorja për sistematizimin e vendeve të punës në MPMS
Prishtinë, 26 gusht - Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka miratuar Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Strategjinë për Diasporën dhe Mërgatën, nëpërmjet të së cilës, me veprime konkrete, Qeveria e Republikës së Kosovës synon të sigurojë avancim të të drejtave politike e sociale për diasporën.
Strategjia gjithashtu synon të ruaj identitetin kulturor dhe gjuhësorë, të shmangë asimilimin dhe ta ndihmojë integrimin e diasporës sonë në vendet ku jetojnë. Objektivi i strategjisë është edhe lehtësitë ligjore dhe administrative për ata që dëshirojnë ta ndihmojnë zhvillimin ekonomik të atdheut të tyre.
Një nga synimet e strategjisë është edhe organizimi sa më i mirë i diasporës, duke e ndihmuar në rrjetëzimin e organizimeve të ndryshme të diasporës kosovare nëpër botë.
Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për mbështetjen financiare të shënimit të Ditës së komunitetit Boshnjak në Kosovë.
Duke vlerësuar angazhimin shtesë dhe zgjatjen e orarit të punës, për përgatitjen e suksesshme të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, për të gjithë zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për lejimin e mjeteve shtesë në kategoritë paga dhe mëditje për këto institucione, me qëllim të kompensimit të tyre.
Me vendimin e aprovuar nga Qeveria e Kosovës, Ismail Osdautaj dhe Ujup Krasniqi janë propozuar edhe për një mandat në Bordin Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare të Pronës.
Me kërkesën e ministres së Integrimeve Evropiane është miratuar nisma për fillimin e dialogimit e marrëveshjes me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për asistencën zhvillimore.