Miratohet raporti vjetor i AKP dhe Projektligjit për patentëshofer
Prishtinë, 15 mars - Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri,në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar, shqyrtoi Raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për vitin 2014, si dhe Raportin me rekomandime të Projektligjit për patentëshofer.
Gjatë shqyrtimit të këtij raporti, në mbledhje ishte i pranishëm edhe drejtori i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, ndërkaq, raportin e paraqiti ushtruesi i detyrës (UD) së drejtorit menaxhues të kësaj agjencie, Avni Jashari.
Duke folur për këtë raport, Jashari vlerësoi se ai i plotëson të gjitha standardet e raportimit dhe ofron pasqyrë të mirë të punës, objektivave dhe sfidave të agjencionit.
Duke folur për punën e Agjencionit për vitin 2014, ai nënvizoi arritjen e 145 kontratave të realizuara nga shitja e aseteve publike, si dhe vendosjen e 123 ndërmarrjeve shoqërore në listën për likuidim. Foli më pas edhe për asetet e uzurpuara, ndërkaq, vuri në pah edhe vendimin që pritet të marrë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, lidhur me shpërndarjen e shumës prej 25 milionë euro.
Në fund të paraqitjes së tij, UD i drejtorit menazhues të AKP-së, Jashari, vlerësoi se përmbyllja e suksesshme e procesit të privatizimit kërkon shitjen sa më të shpejtë të 1500 aseteve publike.
Ai njoftoi më pas edhe për Fondin e Mirëbesimit, për të cilin tha se aktualisht ka arritur shumën prej 486 milionë euro.
Anëtarët e komisionit, vlerësuan se raporti, ndonëse i përket vitit 2014 dhe nuk ka ndikim në zhvillimet e tanishme të AKP-së, mund të jetë i dobishëm si një përvojë nga e kaluara.
Komisioni vlerësoi po ashtu, se raporti i ardhshëm i këtij Agjencioni, duhet të përmbajë të dhëna më të sakta lidhur me performancën dhe menaxhimin e ndërmarrjeve shoqërore, që janë nën autoritetin e AKP-së.
Në fund, komisioni formuloi edhe rekomandimet lidhur me raportin, të cilat u përkrahën unanimisht.
Pas kësaj, komisioni hartoi edhe Raportin me rekomandime të Projektligjit për patentëshofer, i cili do të procedohet për lexim të dytë në Kuvend, si dhe listën e kandidatëve për anëtarë të Bordit, për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), të propozuar nga Qeveria.