Miratohet Raporti i monitorimit të Ligjit për KES
Prishtinë, 15 prill - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të cilën e kryesoi Flora Brovina, kryetare e komisionit, u shqyrtua Raporti i monitorimit të zbatimit të Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social.
Raportin e monitorimit para komisionit e prezantoi kryesuesja e grupit punues znj. Time Kardijaj, e cila theksoi se qëllimi i mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për këshillin EkonomikoSocial ka qenë që të vlerësohet dhe të konstatohet niveli i zbatueshmërisë së tij në praktikë.
Ky vlerësim është synuar të arrihet përmes takimeve dhe vizitave në terren me qëllim të marrjes së të dhënave në lidhje me funksionimin dhe zbatimin te këtij ligji, e të vlerësojë nëse Qeveria, përkatësisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe institucionet tjera relevante janë duke i përmbushur obligimet që dalin nga ky ligj.
Duke u bazuar në punën e bërë në procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për Këshillin Ekonomiko - Social nga grupi punues, Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ka arritur të bëjë një analizë për të arriturat dhe mangësitë e Ligjit për Këshillin Ekonomiko Social dhe zbatueshmërisë së tij.
Ne kemi konstatuar se miratimi i Ligjit për Këshillin Ekonomiko Social e ka avancuar zhvillimin e dialogut social në Kosovë, ka theksuar deputetja Kardijaj, e cila ka vënën dukje se përkundër sukseseve të arritur, janë identifikuar edhe probleme në funksionimin e dialogut social, moszbatim i ligjit, mos përmbushje e obligimeve ligjore nga ana e institucioneve dhe organizatave relevante. Gjithashtu janë hasur edhe paqartësi rreth disa dispozitave të ligjit.
Si rezultat i të gjitha mangësive dhe vështirësive në zbatim. Andaj konstatojmë se duhet plotësuar dhe ndryshuar Ligji për Këshillin Ekonomiko Social në disa nene që janë të pa zbatueshme apo pjesërisht të zbatueshme, ka thënë kryesuesja e grupit punues.
Komisioni pas shqyrtimit të raportit të monitorimit ka miratuar në mënyrë unanime dhe ka rekomanduar që ky raport ti procedohet Kryesisë së Kuvendit me kërkesën për debat dhe miratim të tij në Kuvend.
Rekomandimet e raportit:
1. Qeveria e Kosovës të plotësojë dhe ndryshojë Ligjin për Këshillin Ekonomiko Social në çështjet si vijon:
Të precizohen kushtet dhe kriteret e përfaqësimit në KES për anëtarët nga organizatat e punëdhënësve dhe punëmarrësve.
Të përcaktohet qartë funksionimi i sekretariatit të KES-it.
Të përcaktohen saktë mënyra e financimit dhe e menaxhimi më të saktë i buxhetit të KES-it.
Të përcaktohen me ligj zëvendësit e anëtarëve të KES-it.
Të përcaktohet mënyra e shkarkimit të anëtarëve të KES-it.
Të parashihen sanksione për mos respektim të dispozitave ligjore.
2. Aktet nënligjore të nxirren brenda afatit dhe të jenë në përputhje me ligjin.
3. Pjesëmarrja e ministrave në punën e KES it të jetë e rregullt.
4. Të ndahet buxheti i mjaftueshëm, siç e parasheh ligji për funksionimin e KES-it.
5. Të respektohen kriteret ligjore me përpikërinë sa i përket përfaqësimit në KES të organizatave të punëdhënësve dhe të punësuarve.
6. Të shqyrtohen nga Qeveria dhe ministritë përkatëse vlerësimet dhe rekomandimet e KES-it dhe të informohet KES për qëndrimin e Qeverisë.
7. Të respektohen marrëveshjet dhe kontratat kolektive të nënshkruara.
Rekomandim shtesë:
§ Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet ti raportojë Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për nivelin e zbatimit të ligjeve, së paku njëherë në vit. Kjo përgjegjësi e ministrisë buron nga Rregulla 73, paragrafi 2, i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.