Miratohet Projektligji për themelimin e Inspektoratit te Doganës dhe ATK
Prishtinë, 3 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar katër projektligje dhe dokumente tjera të politikave qeverisëse nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Dokumenti i parë i miratuar sot nga kabineti qeveritar është Projektligji për inspektoratin e doganës dhe administratës tatimore të Kosovës i cili ka për qëllim të themelojë Inspektoratin e Doganës dhe ATK-së, si një institucion të pavarur në kuadër të Ministrisë së Financave, duke përfshirë mandatin e tij, organizimin dhe funksionet e tij.
Edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat, ka marr miratimin e kabinetit qeveritar. Me këtë projektligj bëhen plotësimet dhe ndryshimet në Ligjin për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, i cili është botuar në Gazetën Zyrtare Nr.01 me datë 12 janar 2012.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës. Me këtë Projektligj përcaktohen rregullat për vendosjen, përditësimin dhe zhvillimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës (IKIH) si dhe përcaktimin e autoritetit të IKIH-së.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Projektligji për masat antidamping dhe masat kundër balancuese. Ky Projektligj i përcakton procedurat dhe rregullat për zbatimin e rezultateve të hetimeve antidamping dhe anti-subvencion, respektivisht për mbrojtjen e industrisë vendore të Kosovës kundër praktikave të padrejta tregtare ndërkombëtare.
Dokumenti i radhës, i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është Rregullorja për funksionimin e punës së Komisionit për kontrollin e tregtisë me mallra strategjike. Kjo rregullore përcakton kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë, funksionimin dhe procedurat e punës së Komisionit për Tregtinë me Mallrave Strategjike.
Në vazhdim të mbledhjes, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Rregulloren për financimin e dërgimit të forcës së sigurisë së Kosovës jashtë vendit. Kjo rregullore përcakton mënyrën e financimit dhe llojet e shpenzimeve të dërgimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.
Kabineti qeveritar ka dhënë aprovimin edhe për Planin e dytë Kombëtarë të Veprimit për Efiçencë të Energjisë në Kosovë. Plani është dokument bazik për implementimin e politikave për efiçencë të energjisë në Kosovë. Ai parasheh arritjen e cakut indikativ të kursimit dhe prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritëshme elektrike për 9%. Plani i dytë i Veprimit për Efiçencë të Energjisë në Kosovë bazohet në Ligjin për Efiçencë të Energjisë.
Zëvendësministri i Ministrisë së Integrimit Evropian ka njohur kabinetin qeveritar me nisjen e procesit të Programit të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit të Bashkimit Evropian (IPA) për periudhën 2014-2020.