Miratohet Projektligji për Sponsorizime e Donacione në Kulturë, Rini e Sportit
Prishtinë, 23 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, sipas propozimit të MKRS-së, miratoi, në mbledhjen e sotme, Projektligjin për Sponsorizime dhe Donacione në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ky projektligj, për herë të parë në Kosovë, do të rrëgullojë kushtet dhe do të përcaktojë lehtësirat për spozorët dhe donatorët në kulturë, rini dhe sport.
Me qëllim të krijimit të politikave dhe të kushteve sa adapte për zhvillimin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Republikën e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet në vazhdimësi e përkushtuar që të zhvillojë politika të qëndrueshme programore nëpërmjet transformimit të tyre në akte legjislative.
Sponsorizimet dhe donacionet në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë objekt i rregullimit të këtij projektligji, me të cilin vihen bazat juridike për trajtimin, rregullimin dhe njohjen e sponsorizimeve dhe të donacioneve në fushat e lartpërmendura.
Rregullimi ligjor i çështjes së sponsorizimeve dhe donacioneve në kulturë, rini dhe sport paraqet një dimension me rendësi të shtyrjes përpara të synimve tona në lidhje me këto fusha.
Me anë të këtij projektligji synohet të rregullohen marrëdhëniet, kushtet dhe niveli i lehtësirave financiare përmes zbritjeve të lejuara për personat fizikë dhe juridikë, të cilët, me vullnet të lirë, sponsorizojnë apo bëhen donatorë në këto fusha me interes të veçantë publik.
Ky projektligj rregullon, përcakton dhe njeh autoritetin e subjekteve që kanë të drejta dhe detyrime në realizimin e interesit publik të përcaktuar me këtë projektligj, sponsorizimin dhe donacionin, si ndihmesa të veçanta për realizimin e interesit publik, lëndën e sponsorizimit dhe donacionit, si dhe lehtësirat financiare përmes zbritjeve të lejuara në pajtueshmëri të plotë me kornizën ligjore të nxjerrë nga Ministria e Financave e Republikës së Kosovës, e cila i ka konsideruar si fusha me interes publik, në Ligji Nr. 05/L -028 Për Tatimin në të Ardhurat Personale dhe Ligji nr. 05/L -029 Për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.
Në kushtet në të cilat gjendet vendi ynë, fusha e kulturës, rinisë dhe e sportit konsiderohet të jenë gjithnjë e më të shtrira në dimensionin e përgjithshëm shoqëror.
Gjithashtu, duke marrë parasysh ndikimet në rritje të këtyre fushave që kanë aktualisht, dhe impaktin që ato pritet të kenë në të ardhmen, sidomos pas arritjes së synimeve në procesin e ndërkombëtarizimeve me theks të veçantë të sportit, zhvillimi i tyre në vend si dhe jashtë duhet të arrijë nivele të atilla standardesh për një prezantim sa më të denjë të vlerave tona kulturore, rinore dhe sportive të Republikës së Kosovës në cilindo nivel të prezantimit.
Duke marrë parasysh këtë fakt, kemi konkluduar ndërlidhjen me prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen e këtyre kategorive.
Ky projektligj do të krijojë efekt pozitiv për komunitetin e kulturës, sportit dhe rininë, si dhe njohjen e vlerësimin e lehtësitë financiare për sponsorizuesit dhe donatorët, të cilët dëshirojnë të mbështesin këto fusha në Republikën e Kosovës.